Paraditën e së
mërkures, më 27 qershor 2012, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari, i
shoqëruar edhe nga një pjesë e stafit të
Myftinisë Shkodër, ka zhvilluar
inspektime të punimeve të reja në disa
prej vakëfeve, ku Myftinia Shkodër ka
nisur punimet për ndërtimin a
rehabilitimin e objekteve përkatëse.
Fillimisht Myftiu ka ndjekur punimet
te xhamia e vjetër e Qafës, ku ka
ndjekur procesin e shtrimit të
territorit të brendshëm të xhamisë së
vjetër me kalldrëm dhe gur. Myftiu është
interesuar edhe për pastrimin e këtij
territori nga një ndërhyrje e vjetër e
Ujësjellësit Shkodër, që vështirëson
punimet në kuadratin e xhamisë së vjetër.
Pas kontakteve zyrtare me drejtoreshën e
Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër,
ndërhyrja për pastrimin e vakëfit do të
bëhet shumë shpejt.
Më pas, Myftiu ka inspektuar edhe
punimet në xhaminë e re të fshatit Kuç.
Ai ka ndjekur nga afër punimet dhe ka
përgëzuar ndërtuesit për punën e mirë,
me cilësi dhe në një afat të shkurtër.
Myftiu ka dhënë disa udhëzime në terren
dhe është lutur për mbarësinë e punimeve
të reja për plotësimin e xhamisë në këtë
fshat.
Inspektimi ka vijuar edhe në xhaminë
e re të fshatit Mes-Myselim, ku Myftiu
ka vëzhguar nga afër hapjen e rrugës së
re të xhamisë, që pritet të inaugurohet
në një kohë shumë të afërt. Ai ka
inspektuar nga brenda punimet e
përfunduara të tavanit të xhamisë dhe
disa anekse të tjera të saj.
Më pas, Myftiu ka inspektuar
edhe punimet për murin rrethues të
xhamisë së fshatit Dragoç dhe kufijtë e
zonës vakëf të kësaj xhamie. Vlen të
theksohet se xhamia e fshatit Dragoç ka
një territor shumë të madh, i cili është
zënë padrejtësisht nga objekte të
ndryshme, që pritet të shemben dhe të
bëhet pastrimi i plotë i vakëfit të
kësaj xhamie.
|
|
|
|
|
|
|