Me ftesë të Kryetarit
të Këshillit të Bashkësisë Islame të
Podujevës, Bekim ef. Jashari, ditën e
shtunë, më 16 qershor 2012, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari, ka
zhvilluar një vizitë në Podujevë.
Fillimisht Myftiu ka vizituar selinë
e Bashkësisë Islame të Podujevës, ku
është pritur nga Kryetari i K.B.Islame,
Bekim ef. Jashari me pjesëtarët e tjerë
të stafit të tij. Gjatë bisedës së
ngrohtë, mikpritësi i ka uruar
mirëseardhjen në Podujevë Myftiut të
Shkodrës. Ai ka theksuar se kjo është
një ditë e veçantë për Këshillin e
Bashkësisë Islame të Podujevës dhe një
mundësi më shumë për të shtuar
bashkëpunimet e ndërsjellëta dhe vizitat,
sidomos në raste ditësh të shënuar
fetare dhe tubimesh që mbledhin
besimtarët.
Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, ka shprehur
kënaqësinë e tij për vizitën në Podujevë
dhe ka konfirmuar dëshirën dhe vullnetin
e tij për rritjen e bashkëpunimeve, në
kuadër të afrimit dhe bashkimit të
mëtejshëm të shqiptarëve nga të gjitha
trevat e tyre, duke u dëshmuar si një
popull i madh me vlera dhe tradita të
pasura fetare dhe kombëtare.
Biseda ka vijuar rreth organizimit
të dy institucioneve dhe këmbimit të
eksperiencave në tubimet e ndryshme
fetare, organizimin e jetës fetare në dy
qytetet respektive etj.
Ndërkohë, për nder të kësaj vizite
të Myftiut të Shkodrës, Këshilli i B.I.
të Podujevës ka organizuar një tribunë
fetare në xhaminë kryesore të Podujevës,
“Met Podjeva”. Me qindra besimtarë të
pranishëm kanë dëgjuar me vëmendje
bisedën fetare të mbajtur nga Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari. Gjatë saj,
Myftiu ka folur mbi rëndësinë që ka
mbikëqyrja e All-llahut në jetën e
përditshme dhe kontrolli i brendshëm i
zemrës duke e orientuar atë drejt
dashurisë së All-llahut dhe vlerave të
besimit. Myftiu është lutur edhe për
shpirtrat e dëshmorëve të lirisë dhe
mirëqenien e besimtarëve në Podujevë,
Kosovë e përtej saj.
Pas faljes së namazit të mesditës,
Mytiu i Shkodrës është përshëndetur me
besimtarët e shumtë të Podujevës, me të
cilët ka këmbyer edhe urime dhe lutje të
shumta vëllazërore. Me këtë rast, Myftiu
ka takuar edhe drejtues të ndryshëm
fetarë të Podujevës, imamë dhe
intelektualë të afirmuar të qytetit.
Ndërkohë, në orën 14.00, Këshilli i
B.I. të Podujevës ka organizuar një
takim përkujtimor me rastin e Natës së
Madhe të Israsë dhe të Miraxhit, për
drejtuesit dhe intelektualët e qytetit.
Në këtë tubim ka marrë pjesë edhe zv/ministri
i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës,
drejtuesit lokalë të Podujevës, drejtues
të Gjykatës, Policisë, Shoqatës së
Veteranëve të Luftës, imamë të xhamive
të ndryshme, drejtues të partive
politike etj. Të ftuar nderi në këtë
aktivitet kanë qenë, Kryeimami i
Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef.
Bajgora dhe Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, të cilët kanë mbajtur
edhe ligjëratat e rastit.
Gjatë referatit të tij para të
pranishëmve, Myftiu i Shkodrës, ndër të
tjera ka thënë: “Jam shumë i gëzuar që
jam sot në mesin tuaj, në tokën e Zahir
Pajazitit dhe dëshmorëve të lavdishëm të
kombit tonë. Jam i emocionuar që shkel
këtë tokë të begatuar nga gjaku i
dëshmorëve, që janë krenari jo vetëm për
ju, por për mbarë shqiptarët kudo që
janë! Duhet ta falënderojmë All-llahun e
madhëruar që erdhi kjo ditë e bekuar, ku
ne të lëvizim lirshëm drejt qyteteve
shqiptare dhe të takohemi në tubime të
tilla me vlera fetare dhe kombëtare!”
Më pas, Myftiu është ndalur në
pesë stacione, që i paraprijnë leximit
të drejtë të ndodhisë së Israsë dhe të
Miraxhit, ku ka dhënë edhe mesazhet e
tij në lidhje me këtë ngjarje të shënuar
në historinë e profetit Muhammed (a.s).
Në përfundim të referatit,
Myftiut të Shkodrës Imam Muhamed Sytari
i është dorëzuar një “Mirënjohje” nga
Këshilli i Bashkësisë Islame të
Podujevës: “Për punën dhe kontributin e
tij në fuqizimin e vlerave të besimit
dhe çështjes kombëtare”.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|