Paraditën e së hënës,
më 11 qershor 2012, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka pritur në një
takim të përzemërt drejtorin e
producionit në televizionin satelitor
turk Canal A, Abdullah Türksoy, i
shoqëruar edhe nga z. Nafis Lokvica,
president i AAPV, Prizren.
Qëllimi i kësaj vizite ka qenë
interesimi i televizionit turk për të
zhvilluar një reportazh mbi jetën fetare
islame dhe gjurmët e trashëgimisë islame
në Shkodër.
Pasi i ka uruar mirëseardhjen në
Shkodër, Myftiu i ka njohur miqtë me
qytetin e Shkodrës, historinë e saj,
përbërjen fetare, kulturore dhe
zhvillimet e Thirrjes Islame në qytetin
më të madh verior. Gjatë bashkëbisedimit,
ndër të tjera Myftiu ka kërkuar
vëmendjen e investitorëve bamirës nga
Turqia për të mbështetur projektet e
ndryshme të Myftinisë Shkodër dhe
zhvillimin e vakëfeve të saj. Ai ka
theksuar se kontributi i vakëfeve turke
në Shqipëri është i madh, por do të
ishte edhe më efikas sikur të dilte
jashtë interesave të ngushta bamirëse të
vakëfeve përkatëse.
Vizita ka vazhduar edhe te xhamia e
Plumbit, te gjurmët e xhamisë së Qafës,
te rrënojat e xhamisë së Tabakut, në
kalanë Rozafa dhe në Muzeun Historik të
Shkodrës.
Në një bashkëbisedim para kamerës së
Canal A, Myftiu ka ftuar biznesmenët
turq që të vijnë të vizitojnë Shkodrën
dhe gjurmët islame të saj. Ai ka
theksuar se lidhjet e vjetra historike
kanë lënë gjurmët e veta në Shkodër,
gjurmë që duhen rigjallëruar në mënyrë
që historia mos të mbetet ashtu siç
armiqtë e Shqipërisë e servirin akoma
sot në librat e historisë.
Myftiu ka lobuar edhe për financimin
e projektit për rehabilitimin e plotë të
xhamisë së Plumbit dhe mbështetjen e tij,
në mënyrë që të zgjidhen përfundimisht
problemet e trashëguara dhe ato aktuale
të këtij monumenti kulture me vlera të
mëdha për Shkodrën dhe Shqipërinë.
Vizitorët kanë shprehur
kënaqësinë e tyre të madhe për këtë
takim dhe vizitë në disa prej vendeve më
të bukura të Shkodrës dhe kanë premtuar
vazhdimin e komunikimit në shërbim të
kërkesave të Myftinisë Shkodër.
|
|
|
|
|