Të xhumanë, më 1
qershor 2012, nëpërmjet minberit të
xhamisë së fshatit Dragoç, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari, ka folur
mbi rëndësinë e posedimit të pasurive në
fenë islame dhe nxitjen drejt
perfeksionimit të zanateve dhe
profesioneve në jetë.
Duke iu referuar ajeteve të shumta
kur’anore, Myftiu ka paraqitur vlerën e
punës dhe fitimit hallall në Islam.
Njëkohësisht ka bërë thirrje që të
distancohemi sa më shumë nga kopracia,
skamja, dhe mosdhënia në rrugë të All-llahut.
“Ata që kanë dhe nuk japin, në të
vërtetë dëshmojnë lidhjen me shejtanin e
mallkuar. Ata që kanë, duhet të dinë se
pasuria e tyre është sprovë. Një ditë do
të japin llogari për të. All-llahu e
mëshiroftë Shejkh Shaaraviun, që thoshte:
“Nëse gjen të varfër në një prej vendeve
të muslimanëve, dije se një i pasur e ka
vjedhur pasurinë e tij!” Kjo do të thotë,
se ata që kanë dhe nuk japin zekatin, në
të vërtetë grabisin hakun e të tjerëve
në pasurinë e tyre!”- ka thënë Myftiu
ndër të tjera në hytben e xhumasë.
Gjatë kësaj hytbeje, Myftiu ka
përmendur edhe shembullin e hz. Jusufit
(a.s), i cili kërkoi të punësohej si
drejtues i ekonomisë së Egjiptit duke u
vetëcilësuar si: “ruajtës i amanetit dhe
ekspert”. Nga këtu Myftiu ka kërkuar nga
të rinjtë që të kenë një zanat në jetë,
të bëhen ekspertë në një fushë të
caktuar dhe me dinjitetin e muslimanit,
të dëshmohen si njerëz të ndershëm,
ruajtës të amanetit, ekspertë dhe
specialistë në fusha të ndryshme të
jetës.
Në hytben e dytë, Myftiu është lutur
për shpirtrat e shehidëve të rënë në
Siri gjatë trazirave të vitit të fundit
dhe më pas, në përfundim të namazit të
xhumasë ka drejtuar namazin e xhenazes
në mungesë për shpirtrat e tyre.
Me shumë emocion, besimtarët e
pranishëm në xhaminë e Dragoçit janë
lutur, duke dëshmuar bashkarisht Njësinë
e All-llahut, të Cilit i kanë drejtuar
lutjet dhe adhurimet e tyre.
|
|
|
|