Paraditën e së
mërkures, më 23 maj 2012, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka pritur
në një takim të përzemërt, Drejtorin e
“Islamic Relief” Hollandë, z. Mostapha
Bouchallikh, që shoqërohej edhe nga
Drejtori i “Islamic Relief” Shqipëri, z.
Muhammed El-Waei.
Gjatë takimit, Myftiu ka falënderuar
mysafirin për vizitën dhe i ka uruar
qëndrim të këndshëm në Shkodër e
Shqipëri. Myftiu e ka njohur z.
Bouchallikh me historinë e Islamit në
trojet shqiptare dhe veçanërisht në
Shkodër. Ka theksuar se feja islame
është pjesë e traditave dhe kulturës
shqiptare. Myftiu ka thënë se muslimanët
në Shkodër dhe Shqipëri nuk janë pakica,
si muslimanët në Evropë, por origjinë
dhe pjesë e shëndetshme e rrënjëve të
këtij vendi. Pavarësisht kësaj, Myftiu
ka theksuar se të drejtat dhe pronat e
muslimanëve shqiptar, vazhdojnë të
mbeten peng edhe në këto ditë,
megjithëse kanë kaluar 22 vite nga rënia
e sistemit ateist, i cili prishi,
shkatërroi dhe sekuestroi të gjitha
pasuritë dhe pronat e bashkësisë së
muslimanëve shqiptarë.
Nga ana e tij Drejtori i “Islamic
Relief” Hollandë, z. Mostapha
Bouchallikh, ka shprehur kënaqësinë e
tij për këtë vizitë dhe ka theksuar se
rizgjimi i ymetit islam, sidomos në
botën arabe, do të thotë forcim i
pozitave të muslimanëve kudo në botë. Ai
ka theksuar se feja islame ka ardhur për
të mbjellur paqe dhe harmoni kudo në
botë dhe se detyra e protagonistëve të
kësaj thirrje të bekuar islame është të
bashkëpunojnë për të mirën e mbarë
njerëzimit.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu i
Shkodrës, ka shprehur mirënjohjen e tij
edhe për kontributin e madh që ka dhënë
“Islamic Relief” në Shkodër, sidomos në
mbështetjen dhe financimin e Medresesë “Haxhi
Sheh Shamia”, dega djem, në vitet më të
vështira të saj. Ai ka theksuar, se
Myftinia Shkodër e ka për nder të ketë
bashkëpunëtor dhe partner të saj
“Islamic Relief”, i dëshmuar edhe për
realizimin e shumë projekteve sociale
dhe kulturore në zonën e Veriut të
Shqipërisë. Myftiu ka falënderuar
kontributin e madh që ka dhënë Drejtori
i këtij Fondacioni Bamirës në Shqipëri,
z. Muhammed El-Waei për mbarëvajtjen e
projekteve dhe tërheqjen e fondeve
bamirëse për realizimin e projekteve të
ndryshme bamirëse në Shkodër.
Në fund, bashkëbiseduesit ka
qenë të mendimit se duhen shtuar mënyrat
e komunikimit të ndërsjellët në shërbim
të interesave të Thirrjes Islame, në
Shkodër dhe përtej saj.
|
|
|
|