Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
E xhumaja e
18 majit 2012, erdhi natyrshëm, si çdo e
xhuma tjetër. Por, askush nuk e mendonte
se emocionet dhe kënaqësinë që do na
dhuronte gjatë vizitës në një fshat të
largët me banorë muslimanë, do të
bëheshin shkak i këtyre rreshtave
dëshmitarë…
Disa herë e kisha planifikuar të
udhëtoja drejt fshatit Domën. Ishin
largësia dhe vështirësia e rrugës
shkaqet kryesore të kësaj vonese.
Ndërkohë,
gjurmët e emocioneve, prehjes
shpirtërore dhe madhështisë së
vëllazërisë islame u kthyen në një
dëshirë të madhe për të mos e lënë në
skutat e kujtesës së heshtur përshkrimin
e disa momenteve të kësaj vizite të
vonuar…
Rruga drejt fshatit Domën, ngjan më
shumë me rrugët e vendeve të humbura në
filmat të kohëve me ekran bardh e zi,
sesa me rrugët e një vendi që përpëlitet
në krahët e vitit 2012, i llastuar në
prehërin e mentaliteteve thellësisht të
kuqrreme, me kollare bojëqielli…
Përtej hirtësive që rrethojnë
sjelljen zyrtare provinciale me hallet
dhe realitetet e banorëve të kësaj zone,
bardhësia dhe pastërtia e natyrës, me të
cilën Zoti e ka zbukuruar këtë vend, të
mbush me dritë besimi dhe të fton të
meditosh në madhështinë e Krijuesit,
durimi i të Cilit ndaj krijesave të Tij
meskine, është më i madh se ç’të
përfshin syri nga rreth 700 metër
lartësi mbi nivelin e detit…
I shoqëruar edhe nga miqtë Sait
Milani dhe i biri Zamiri, nga Milani i
Rrasekut, im atë, im bir dhe pjesëtarë
të stafit të Myftinisë, shijojmë
mrekullitë e krijimit, teksa lëkundemi
sa djathtas-majtas, të përfshirë në
zhurmën e mjetit që na transporton mbi
shkëmbinj e gurë të vjetër, në një rrugë
gjarpëruese drejt Domnit…
Rruga është e gjatë. E zbukurojnë
ndalesat e shumta, për të parë peisazhe
me shpirt Shkodre, të cilat nuk mund t’i
lëmë të na ikin pa i fiksuar me një
aparat fotografik në dorë…
Në hyrje të fshatit takohemi me
imamin e xhamisë së Domnit, z. Smajl
Braqi. Një burrë i urtë, që rrezaton
mirësi dhe shpirt besimi. I respektuar
nga besimtarët dhe banorët e zonës, ai
na uron mirëseardhjen dhe bëhet
shoqërues fisnik i rrugëtimit tonë drejt
xhamisë mbi kodër…
Rrugës, na shoqëron ajri i freskët
dhe i pastër i maleve, përzier me erën e
këndshme të pemëve të gështenjës,
pishave dhe gjelbërimit pa fund,
cicërimën e zogjve të shumtë që duket se
bien salavate në prag të pritjes së
ezanit të mesditës së një dite plot
begati xhumaje…
Xhamia e Domnit, i përngjet një
shtëpie të vogël thuajse përdhese,
rrethuar me gjurmë varresh mbi 200
vjeçarë, në thellësi të cilëve pushojnë
eshtrat e muslimanëve të kësaj zone,
shekujt e së cilës dëshmojnë lidhjen e
pandashme të tyre me Islamin dhe mësimet
e tij.
Dera e xhamisë është e ngushtë, në
formë harku. Nga brenda, besimtarët që e
kanë mbushur ngrihen në këmbë dhe me një
mikpritjen tipike islame, na urojnë
mirëseardhjen. Pas selamit tonë, “ve
alejkum selam”, pushton hapësirat e
dhomës së adhurimit mbi kodrën më të
lartë në Domën… Dhe, për rreth një orë,
fjala kryesore është: dashuria në All-llah
dhe për All-llah!
Janë momente të papërshkrueshme.
Emocioni të mbulon dhe ndjehesh shumë i
vogël para vështrimeve të sinqerta të
vëllezërve të tu muslimanë, të cilët,
thuajse të izoluar nga pjesa tjetër e
botës, ruajnë me dashuri dhe përkushtim
fenë e të parëve të tyre, duke e
dëshmuar veten si pasardhës të denjë të
baballarëve besnik të fesë së Muhammedit
(a.s)! Ndjehesh shumë i vogël para
madhështisë së besimit, që përkthen më
së miri forcën e hadithit profetik: “Do
të mbërrijë kjo fé, aty ku ka mbërritur
nata dhe dita”. Po! Kjo fé e pastër ka
mbërritur edhe lart në Domën, është
rrënjosur në jetën e banorëve të tij,
është pasqyruar në traditat dhe zakonet
e tyre, dëshmohet në gjurmët e varreve
të baballarëve, rrezaton në dlirësinë e
fytyrave të fëmijëve dhe të rinjvë që
mbushin xhaminë duke ardhur njëri pas
tjetrit…
Është koha e ezanit. Dëshira që edhe
kjo tokë të bëhet dëshmitare hajri, më
tërheq për të dalë jashtë xhamisë… Aty,
bri saj, i rrethuar nga vëzhgimet e
rrezeve diellore, fëshfërimat kurioze të
gjetheve të një çinari të moshuar,
cicërimave të zogjve që vazhdojnë të
bien salavate dhe freskisë së ajrit të
maleve, marr të thërras ezanin.
Subhanall-llah! Është një ndjesi e
mrekullueshme, teksa me “All-llahu ekber,
All-llahu ekber”, lajmëron hyrjen e
kohës së përuljes para duarve të Atij,
që i është përulur gjithësia! Për pak
momente bëhesh lajmëtar i paqes, thirrës
drejt qetësisë, zëri i shekujve të
mbuluar me dritë ezani dhe… duket se
edhe shoqëruesit përsërisin fjalët e tua,
duke u bërë edhe ata lajmëtarë dhe
thirrës…
Nga minberi i xhamisë, një tavan me
ngjyrë druri dhe ca rrogoza të vjetra
përballë, më bëjnë të ndjehem si vizitor
në shtëpinë e Ebu Ejjub Ensariut… Ai në
katin e parë, Resulull-llahi (a.s) në
katin e dytë. Ai, i zhytur në detrat e
dashurisë që i ndezin zemrën flakë për
të Dërguarin, ne, të mbuluar nga
përshpirtësia e një xhemati që i falë
xhamisë frymë nga fryma e tij dhe e bën
të kthehet në një shtëpi, ku pushon
zemra dhe shpirti i Resulull-llahit
(a.s)…
Nga hytbeja e xhumasë, kam dëshirë
të flas e të mos ndalem. Vështrimet e
vëllezërve të mi, që e kanë mbushur
xhaminë, të moshuarve, që herë pas here
nxjerrin nga një thirrje besimi: “All-llah,
All-llah”, si dhe shikimet e fëmijëve që
nuk rrahin qerpik, sikur më tërheqin të
vazhdoj të flas e të thurr lavde
dashurie e falënderimi ndaj All-llahut,
me vullnetin e të Cilit, u bëmë vëllezër
të një dini!
Domnorët, duken mikpritës e bujarë.
Të gjithë na ftojnë, na luten me fytyrë
të qeshur e plot dritë bujarie… Të
gjithë na ftojnë… Por, koha kalon dhe
rruga është e gjatë…
Në kthim, të shoqëruar edhe nga
imami i xhamisë, vizitojmë varrezën e
vjetër dhe gjurmët e xhamisë së lashtë,
në pyllin e gështenjave. Varrezat e
muslimanëve të shkuar janë mbuluar nga
gjelbërimi, hija e pemëve gjatoshe dhe
qetësia që mbizotëron në këto vende. Në
mesin e gurëve të shumtë spikasin disa,
që bartin në vetëvete gjurmë kulture dhe
shpirt traditash të lashta që na lidhin
me vende e kohëra që së bashku dëshmojnë
një shpirt të madh, pjesë e të cilit
jemi të gjithë.
Në këmbë qëndron edhe bazamenti i
minares së gurtë, themelet e vjetra të
xhamisë dhe muret e heshtura, të cilët
dëshmojnë pa zë se në këtë vend, përherë
ka pasur muslimanë dhe adhurues të All-llahut…
Nuk largohemi pa vizituar edhe kroin
e vjetër, uji i të cilit është i pastër,
i ftohtë. Pasi shuajmë etjen dhe
freskohemi me ujin e burimeve të Domnit,
marrim të kthehemi, ndonëse vendi na ka
bërë për vete…
Duke u kthyer nga rruga e Domnit,
ajri i freskët dhe bukuria e natyrës,
sikur bëhen bekues të një vizitë të
vonuar, por shumë të dashur e të mbushur
me emocione besimi e vëllazërie islame.
Dhe, teksa largohemi nga Domni, duket se
çdo gjethe e çdo peme, ajri i freskët
dhe vetë cicërimat e zogjve bylbylë, me
salavatin e tyre që nuk ndërpritet, na
urojnë me zemër dhe na ftojnë përherë me
mikpritje për të ndjerë shpirtin e
shtëpisë së Ebu Ejjubit, në xhaminë e
vjetëruar të muslimanëve të kësaj zone…
Paqja dhe bekimet e All-llahut
qofshin përherë mbi ju, domnorë
muslimanë..!
Shkodër, më
19 maj 2012
|
|
|
|
|
|