Gjatë ceremonisë së
zhvilluar nga Myftinia Shkodër në
përkujtim të jetës dhe veprës së Myftiut
H. Faik Hoxha, më 12 maj 2012, me shumë
emocion është ndjekur fjala e
Famullitarit të Kishës Ortodokse të
Shkodrës, At Aleksandër Petani.
Gjatë fjalës së tij, Famullitari i
Kishës Ortodokse në Shkodër, ka kujtuar
momente të shumta nga bashkëpunimi me
Myftiun e Shkodrës H. Faik Hoxha. Ka
sjellur në vëmendje të pranishëmve edhe
vitin e zymtë 1997, ku ka kujtuar se
sëbashku me Myftiun dhe përfaqësuesit e
ndryshëm fetarë kanë bërë një punë shumë
të vështirë “në mes të plumbave”, si e
si për të ruajtur harmoninë, paqen dhe
qetësinë në Shkodër.
Me shumë emocion, At Aleksandër
Petani i është drejtuar drejtuesve
lokalë: “Dua t’ju bëj një
kërkesë, që dua të ma realizoni, ju z.
Kyetar i Bashkisë dhe ju të nderuar
anëtar të Këshillit Bashkiak të
Shkodrës. Dua t’ju kërkoj në emrin tim
dhe të komunitetit ortodoks të Shkodrës,
që një rruge kryesore, një sheshi a një
shkolle në Shkodër t’i vendoset emri “Faik
Hoxha”. Ju lutem ma plotësoni këtë
kërkesë!”
Këto fjalë, jo vetëm që kanë mbushur
sallën me emocione dhe duartrokitje, por
kanë vërtetuar edhe një herë madhështinë
e frymës së harmonisë ndërfetare që
ekziston në Shkodër dhe përtej saj në
mbarë Shqipërinë. Nëse duhet të mburremi
me ndonjë visar të shtrenjtë, ne
shqiptarët duhet t’i tregojmë botës
harmoninë dhe virtytin e bashkëjetesës
ndërfetare. Tashmë, në përvjetorin e
100- të të shtetit shqiptar, kjo vlerë
vjen edhe si një garanci për mbarësinë
dhe qëndrimin solid të Shqipërisë sonë
të dashur, para kombeve dhe popujve të
tjerë.
All-llahu i begatoftë të gjithë ata
prijës fetarë që punojnë dhe angazhohen
për të mbjellur paqen, harmoninë dhe
bashkëjetesën paqësore në mes të bijve
të feve të ndryshme në botë!
Myftinia
Shkodër
|
|
|
|