Paraditën e së
shtunës, më 12 maj 2012, në ambientet e
kinema “Millennium”, Myftinia Shkodër ka
organizuar një ceremoni përkujtimore në
nder të jetës dhe veprës së Myftiut H.
Faik Hoxha (1930-2011).
Ceremonia përkujtimore ka nisur me
këndimin e një pjese kur’anore dhe është
pasuar me përshëndetjen e nën/kryetarit
të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
z. Bujar Spahiu. Në fjalën e tij, z.
Spahiu ka përcjellur përshëndetjet e
Kryetarit të Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, H. Selim Muça, ku është
vlerësuar angazhimi i H. Faik Hoxhës si
Myfti i Shkodrës në vitet 1991-2003.
Është vlerësuar roli i tij në ruajtjen e
traditave islame në Shkodër e Shqipëri,
ndikimi në forcimin e frymës së
harmonisë ndërfetare etj.
Më pas, kanë përshëndetur
përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ai
i Arqipeshkvisë Shkodër, Famullitari i
Kishës Ortodokse, At Aleksandër Petani
dhe Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari. Në fjalën e tyre është vlerësuar
personaliteti i Myftiut H. Faik Hoxha,
sidomos në vitet 1997-1998, ku vendi ynë
ishte në buzë të një gremine
shkatërrimtare për popullin shqiptar,
harmoninë dhe të ardhmen e tij dhe roli
i drejtuesve të komuniteteve fetare
ishte vendimtar në ruajtjen e paqes dhe
mbjelljen e harmonisë.
Me shumë emocion është ndjekur filmi:
“Në kujtim të Myftiut Haxhi Faik Hoxha”,
i realizuar nga Myftinia Shkodër.
Nëpërmjet tij, të pranishmit kanë mundur
të dëgjojnë në vetën e parë, dhe të
shohin momentet më të spikatura të jetës
dhe sakrificës së H. Faik Hoxhës, vitet
e burgut, ato të myftinisë etj.
Kanë referuar edhe bashkëkohësit dhe
bashkëpunëtorët e tij të afërt, z.
Ismail Muçej dhe H. Fejzi Zaganjori, që
kanë sjellur kujtime dhe vlerësime të
shumta rreth jetës dhe veprimtarisë së
Myftiut H. Faik Hoxha.
Në fund, ceremonia është
përshëndetur edhe nga familja Hoxha, që
ka shprehur falënderimet për këtë
organizim dhe vlerësimet më të mira për
frymën e harmonisë dhe besimit që ka sot
Shkodra dhe Shqipëria, falë edhe punës
dhe angazhimit të Myftiut Faik Hoxha dhe
atyre që e pasuan punën dhe veprën e
tij deri më sot.
Në këtë ceremoni
merrnin pjesë drejtuesit më të lartë
lokalë dhe vendorë të Shkodrës, deputetë,
myftilerë të qyteteve të ndryshme,
drejtues të shoqatave islame,
intelektualë dhe besimtarë të shumtë.
Ceremonia është përcjellur edhe
nga mediat lokale të Shkodrës, Lezhës
dhe Malësisë së Madhe.
|
|
|
|
|
|
|
|
|