Ditën e xhuma, më 11
maj 2012, në xhaminë e Rusit është
organizuar një ceremoni përkujtimore
kushtuar Myftiut të Shkodrës (1991 -
2003), Haxhi Faik Hoxha, i cili u nda
nga jeta një vit më parë, më 12 maj
2011.
Në këtë ceremoni ka prezantuar edhe
Myftiu aktual i Shkodrës, Imam Muhamed
Sytari, që ka mbajtur edhe hytben e
xhumasë.
Fillimisht, ceremonia është hapur me
fjalën e imamit të xhamisë së Rusit, H.
Fejzi Zaganjori, i cili ka vlerësuar
kujtimin e mirë të Myftiut H. Faik Hoxha.
Ai ka thënë se në nderim të kujtimit të
mirë të Myftiut rahmetli, besimtarët e
xhamisë së Rusit kanë kënduar një hatme
të plotë të Kur’anit, që po mbyllet sot,
në këtë ditë të begatë.
Edhe Myftiu i Shkodrës, ka vlerësuar
këto tubime, që reflektojnë respektin
dhe nderimin ndaj prijësve të shkuar
islamë të Shkodrës, si dhe na afrojnë më
shumë me adhurimin dhe përuljen ndaj
Zotit të botrave.
Më pas, në hytben e xhumasë, Imam
Muhamed Sytari ka folur mbi vlerën e
dijes, dijetarëve dhe prijësve islamë në
shoqëri. Ndër të tjera, Myftiu ka thënë
se: “Hytbeja e sotme na lidh me kujtimin
e Myftiut të Shkodrës Haxhi Faik Hoxha,
i cili për 12 vite, më të vështirat vite
të rimëkëmbjes së Thirrjes Islame në
Shkodër, bëri shumë për këtë fe dhe
mesazhet e saj të larta. Teksa sot e
kujtojmë shërbimin dhe angazhimin e tij
në shërbim të fesë islame, nuk ka sesi
të mos na vijnë ndër mend ajetet dhe
hadithet e shumta që nxisin respekt ndaj
dijes dhe dijetarëve, prijësve fetarë
dhe sakrifikuesve në rrugën e
gjallërimit të Thirrjes Islame, kudo
qofshin.”
Myftiu ka sjellë shembuj të
ndryshëm nga Kur’ani dhe Hadithi,
nëpërmjet të cilëve ka bërë thirrje që
të kthehemi sa më shumë nga dija sepse,
sikurse ka theksuar: “Rrugët e dijes i
hapin sytë shoqërive për të parë se ku
dhe si jetojnë. Dija na bën të
lartësohemi nga niveli i masës së
nënshtruar drejt nivelit të njerëzve që
janë të aftë të kuptojnë realitet dhe të
veprojnë me urtësi në raport me
përzgjedhjet që lidhen me të ardhmen e
tyre. Më lejoni në këtë kontekst të
përmend një bashkëbisedim të Hasan
Basriut me një person që mallokonte
Haxhaxhin. Basriu, pasi e dëgjoi i tha:
“O vëlla, mos e mallko Haxhaxhin, se
mund të ndodhë që pas tij t’ju drejtojnë
majmunë dhe derra!” Prandaj, mos t’ia
kthejmë shpinën thellimit në dije!”.
|
|
|
|