Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Më 14 prill 2010, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës u zhvillua veprimtaria kushtuar jetës dhe veprës së myftiut të parë të Shkodrës, pas viteve ’90, Haxhi Faik Hoxha. Kjo veprimtari në formën e një simpoziumi, me ligjërata, përshëndetje, pritje e përcjellje, fotoekspozitë etj, u ideua dhe u përgatit nën kujdesin e thirrësit islam Muhamed Sytari, sot myfti i Shkodrës.

Veprimtaria u titullua “80 vite plot besim e përkushtim”. Arsyet e realizimit të kësaj veprimtarie janë të shumta, por dy janë më kryesoret:

E para: Kjo përkon me 80 vjetorin e lindjes së H. Faik Hoxhës (14.4.1930 – 14.4.2010)

E dyta: Për të nderuar Hirësinë e tij me rastin e dhënies së titullit “Myfti Nderi i Shkodrës” nga Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e KMSh. Në këtë ceremoni, krahas familjarëve, dashamirësëve, miqve etj, morën pjesë edhe shumë intelektualë të shquar të fushave të ndryshme arsimore, kulturore, shkencore, biznesmenë dhe shumë qytetarë e besimtarë, të cilët ndjenin një kënaqësi të veçantë që ishin të pranishëm. E nderuan këtë ceremoni shumë hoxhallarë të rinj e të vjetër, që kishin dëshirë të asistonin për të ndjekur aktivitetin e çmuar të Myftiut të viteve 1991-2003.

Morën pjesë në këtë ceremoni të bukur edhe N/Kryetari i KMSh, z.Bujar Spahiu dhe drejtorë të drejtorive të KMSh etj. Nga arqipeshkëvia e Shkodrës morën pjesë Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, mons. Anxhelo Massafra dhe Famullitari i Shkodrës Dom Gjovalin Sukaj, ndërsa nga Kisha Ortodokse Autoqefale mori pjesë Kretari i Komunitetit Ortodoks, At Aleksandër Petani dhe Famullitari i Kishës At Nikolla Petani.

Një vlerësim të veçantë figurës së Haxhi Faik Hoxhës ia bënë edhe përfaqësuesit kryesorë të pushtetit vendor, prefekti z.Maxhid Cungu, kryetari i Qarkut, prof. Gjovalin Kolombi, kryetari i Bashkisë, z. Lorenc Luka etj.

Një atmosferë të këndshme krijoi edhe pjesëmarrja e nxënësve të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” me trupën mësimore, drejtori i Medresesë z.Kujtim Dervishi, drejtues të shoqatave islame në Shkodër etj.

Veprimtaria filloi me këndimin e një pjesë kuranore nga hafiz Shukri Kapllan. Më pas konferencieri, teologu Altin Loshi ia dha fjalën përshëndetëse N/Kryetarit të Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu.

Në fjalën e tij, ai përcolli përshëndetjen e Kryetarit të KMSh, Haxhi Selim Muça dhe të Këshillit të Përgjithshëm për Haxhi Faik Hoxhën. Pastaj evidentoi rolin e tij në ringjalljen e besimit islam në mbarë besimtarët e Shkodrës e të Shqipërisë, si dhe angazhimin e plotë për mbarëvajtjen e Myftinisë Shkodër për 13 vjet me radhë që drejtoi, njëherit dhe për udhëzimet e tij për veprimtarinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, në çdo aspekt të aktiviteteve të tij.

Në fjalën e tij, Anxhelo Masafra ngriti lart rolin e Haxhi Faik Hoxhës për ripërtëritjen e besimit islam, si dhe gatishmërinë e tij për të ndaluar çdo konflikt pa filluar. Solli në vëmendje të pjesëmarrësve momentet më të vështira që ka kaluar populli i Shkodrës dhe i Shqipërisë nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër evidentoi gatishmërinë e Haxhi Faik Hoxhës për harmoni, vëllazëri e tolerancë, së bashku me komunitetet e tjera fetare.

Në përshëndetjen e tij, At Aleksandër Petani vlerësoi Haxhi Faik Hoxhën në shumë aspekte. Ndër të tjera tha se në momente të vështira ai udhëzonte për rrugëzgjidhje të problemeve që patëm në vitet e kaluara. Kujtimet e përbashkëta nuk do t’i harroj, ashtu që edhe figura e Myftiut të parë të Shkodrës mbas ripërtëritjes të mos harrohet asnjëherë.

Përshëndeti kryetari i Bashkisë, i cili falënderoi Haxhi Faik Hoxhën për çdo gjë që i ka dhënë Shkodrës dhe ne sot kemi nevojë për orientimet e tij.

Ndërsa prefekti i Shkodrës me emocione foli për Haxhi Faik Hoxhën mbasi si familja Hoxha dhe Cungu kanë një histori të përbashkët të vuajtjeve në diktaturë.

Aktori Agron Dizdari interpretoi një përmbledhje të jetës dhe punës së Haxhi Faik Hoxhës për kontributin e dhënë në harmoninë fetare dhe të tolerancës. Ky interpretim pati jehonë të madhe në sallë.

Me një konsideratë të lartë u lexua telegrami që kryetarja e Parlamentit Shqiptar, z.Jozefina Topalli i dërgoi Haxhi Faik Hoxhës, me rastin e 80 vjetorit të lindjes.

Pastaj u lexua mesazhi i urimit që dijetari i shquar i fesë Islame, Osman ef. Nuri Topbash, i kishte dërguar personalitetit të Shkodrës, Haxhi Faik Hoxha.

Thirrësi islam Muhamed Sytari mbajti kumtesën: “Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim”, në të cilën paraqiti jetën e tij në momentet më kryesore nga lindja e deri në moshën 80 vjeçare. Me paraqitjen e jetës së tij me kompetencë shtroi problemin që Hirësia e tij, Haxhi Faik Hoxha është dhe do të mbetet një pasqyrë e pastër për brezat islam, prej ku do të marrin frymëzim të vazhdueshëm si një fllad që nuk do të shuhet kurrë. Jeta e tij është një shembull i mirë i njeriut besimtar, një jetë plot besim e përkushtim.

Në fund, N/Kryetari i Komuniteti Mysliman Shqiptar, z. Bujar Spahiu i dorëzoi titullin e lartë “Pishtar i Ruajtjes dhe i Ringjalljes së Vlerave Islame” dhe titullin “Myfti Nderi i Shkodrës”. Dhënia e këtyre titujve u prit me shumë emocione, jo vetëm nga Hirësia e tij Haxhi Faik Hoxha, por edhe nga pjesëmarrësit.

Duke i dhuruar buqeta me lule nga nipërit e mbesat dhe nga personalitete të ndryshme, u krijua një atmosferë madhështore dhe e bukur.

Në fund të aktivitetit u ndoq me shumë interes ekspozita e përgatitur me fotografi të ndryshme nga jeta dhe veprimtaria e Haxhi Faik Hoxhës, që nga rinia e tij, jeta në medresenë e Tiranës, rihapja e besimit, ndërtimi i xhamiave etj. Ekspozita u vizitua me kujdesin më të madh dhe shumë pjesëmarrës komentonin, sepse çdo fotografi paraqiste një ngjarje.

Koktejli i shtruar për nder të pjesëmarrësve, libri i përshtypjeve, urimet, përshëndetjet, fotografitë etj, plotësuan këtë veprimtari që të mos harrohet.

Në mbyllje të këtij materiali dëshiroj të përmend fjalët që H. Faik Hoxha tha në fund të ceremonisë, pasi mori titullin. “Do të punoj për Islamin sa të jem gjallë e të kem frymë dhe i lutem Allahut të më mundësojë që ta kryej këtë detyrë”.

Emri i Haxhi Faik Hoxhës do të skalitet në altarin e artë të besimit, i jep nder Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.

Jetë të gjatë, të shëndetshme e të lumtur H.Faik Hoxha!

Allahu (xh.sh) të shpërbleftë në këtë botë dhe të jetë i kënaqur me ju dhe në ahiret!

Amin!

H. Fejzi Zaganjori

Imam i xhamisë së Rusit