Për dy ditë me radhë,
në 5-6 maj 2012, përfaqësues të lartë të
komuniteteve islame të 60 vendeve të
botës, janë mbledhur në qytetin
Gaziantep të Turqisë, në konferencën
ndërkombëtare: “Pishtari profetik
ndriçon rrugën e njerëzimit”, organizuar
nga revistat prestigjioze “Yeni Ümit”
dhe “Hira”.
Në këtë konferencë merrnin pjesë
edhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë, z. Genti Kruja, Drejtor i
Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar dhe Imam
Muhamed Sytari, Myfti i Shkodrës.
Gjatë dy ditëve të konferencës janë
diskutuar tema të ndryshme që lidhen me
historinë, realitetin dhe të ardhmen e
ymetit islam dhe botës mbarë. Janë dhënë
mendime mbi rolin garant të traditës së
profetit Muhammed (a.s) për zgjidhjen e
problemeve aktuale në botë, me dritën e
Kur’anit dhe frymën e vëllazërisë dhe
harmonisë, me të cilën u dërgua.
Në konferencë kanë marrë pjesë
dijetarë, prijës fetarë, myftilerë,
akademikë dhe intelektualë të shquar të
botës islame, si: Dr. Ali Xhuma (Myfti i
Egjiptit), Shejkh Sherif Ibrahim Salih
(President i Këshillit Islam në Nigeri),
Dr. Abdulkerim El-Khasavina (Myfti i
Mbretërisë së Jordanisë), Prof. dr.
Rashid Kuçuk (President i Këshillit të
Lartë për Çështjet Fetare në Turqi),
Mevlana Vahidudin Khan (President i
qendrës Islame në New Delhi, Indi),
Prof. dr. Mehmet Gormez (Kryetari i
Dijanetit në Turqi), Prof. dr. Ali
Bardakoglu (Ish- Kryetar i Dijanetit në
Turqi), Prof. dr. Fethi Hixhazi (Egjipt),
Prof. dr. Abdulhamid Ebu Sulejman
(Arabia Saudite), Dr. Xhunejd Kokxha (Turqi),
Prof. dr. Ragib Husejn (Pakistan), Dr.
Reshid Hajlamaz (Turqi), Prof. Dr. Ahmed
El-Bukili (Marok) etj.
Konferenca ka shërbyer për të rritur
ndërgjegjësimin e komunikimit në botën
islame, nevojën e zgjimit të vëmendjens
njerëzore drejt vlerave të fesë islame
dhe traditave profetike, trajtimin me
kujdes të gjendjes së varfërisë dhe
injorancës në botë, rrugët e shërimit më
urtësi të sëmundjeve të kohës etj. Gjatë
6 senacave të kësaj konference është
folur edhe për elementët e shoqërisë
shembullore në Islam, për vendin e dijes,
për fisnikërinë e njeriut, për shembuj
të vëllazërisë dhe altruizmit në
traditat profetike etj.
Në një intervistë për televizionin
TRT në gjuhën arabe, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, pasi ka falënderuar
organizatorët e kësaj konference, ka
theksuar se ka ardhur koha dhe janë
krijuar mundësitë që mbarë bota të
kuptojë vlerën e Islamit dhe traditave
të profetit Muhammed (a.s), që janë
njëkohësisht edhe zgjidhja më e vlefshme
dhe një mundësi reale për shërimin e
sëmundjeve të ndryshme shpirtërore,
sociale, kulturore, ideologjike dhe
intelektuale që kanë përfshirë botën.
Gjatë qëndrimit në Gaziantep,
përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë kanë zhvilluar takime dhe
biseda të vyera me drejtues të shumtë
fetarë nga vende të ndryshme të botës,
pjesëmarrës në konferencë.
Konferenca: “Pishtari profetik
ndriçon rrugën e njerëzimit”, është
transmetuar e plotë në disa kanale
televizive dhe është përcjellur me shumë
kujdes nga gazetat kryesore të Turqisë.
|
|
|
|
|