Pasditën e së shtunës,
më 28 prill 2012, Myftinia Shkodër ka
organizuar një aktivitet shkencor të
titulluar: “Në gjurmët e qitabeve të
imamit H. Ali Shoshi”. Qëllimi i tij ka
qenë të sjellë në vëmendje të opinionit
qytetar të Shkodrës dhe përtej tij,
vlerën dhe përkushtimin e hoxhallarëve
shkodranë në ndërtim të një sistemi
vlerash islame, bazuar në dije,
përkushtim dhe sinqeritet.
Në qendër të vëmendjes, kanë qenë 30
libra të vjetër, pjesë e bibliotekës së
imamit Ali Shoshi, të shpëtuar nga
familjarët e tij, ditën kur biblioteka u
bastis dhe u sekuestrua në vitin 1967.
Aktiviteti ka nisur me referatin e
Myftiut Imam Muhamed Sytari, me temë:
“30 qitabe që zgjojnë kujtimin e nderuar
të imamit H. Ali Shoshi”. Gjatë tij,
Myftiu ka nxjerrë në pah përbërjen e
këtyre librave dhe rëndësinë që ka kjo
trashëgimi e shtrenjtë për brezat e rinj
të muslimanëve në Shkodër dhe përtej saj.
Myftiu ka theksuar se ky aktivitet është
edhe një arsye më shumë për të
respektuar hoxhallarët dhe imamët e
nderuar të Shkodrës, që ishin njerëz të
ditur, njohës të gjuhëve të huaja të
kohës dhe të thelluar në shkencat e fesë.
Për këtë, ai ka sjellë shembuj të
ndryshëm nga përbërja e librave të
mbetur nga biblioteka e imamit Ali
Shoshi, që e ka konsideruar si një
trashëgimi të shtrenjtë të kulturës
islame dhe asaj kombëtare.
Më pas ka referuar teologu Gilman
Kazazi, imam i xhamisë “Ebu Bekër”. Në
fjalën e tij me temë: “Respekti i dijes
dhe i dijetarëve në shënimet e H. Ali
Shoshit”, ka spikatur disa vargje të
gjetura me shkrimin e imamit Ali Shoshi,
nëpërmjet të cilave nxitet respekti dhe
nderimi i dijetarëve dhe mësuesve të
fesë. Nëpërmjet shembujve të ndryshëm,
referuesi ka tërhequr vëmendjen e të
pranishmëve drejt vlerave të dijes dhe
respektimit të dijetarëve në fenë islame.
Aktivitetin e ka përshëndetur edhe
imami i xhamisë së Rusit, H. Fejzi
Zaganjori, ku ka shprehur falënderimet e
tij për organizimin e këtij aktiviteti
që nxjerr në pah vlera dhe kujtime të
mira edhe për një figurë tjetër të
komunitetit musliman të Shkodrës, “të
mbetur në heshtje për shumë dekada”.
Me shumë emocion, të pranishmit kanë
ndjekur rrëfimin e nipit të H. Ali
Shoshit, historianit Muhamet Shala, i
cili ka rrëfyer sesi i ka shpëtuar këto
libra nga djegia dhe sekuestrimi në një
kohë të vështirë, plot intriga dhe
armiqësi ndaj fesë islame dhe njerëzve
të saj besnikë. Ai ka treguar se ditën
kur është sekuestruar biblioteka e H.
Ali Shoshit, janë mbushur tre karroca të
mëdha me libra pafund nga kjo bibliotekë.
Ai ka kujtuar se ky aktivitet është një
nderim për dajën e tij, imamin Ali
Shoshi, por edhe një respekt për qytetin
që nxori një numër të madh hoxhallarësh
të ditur e të thelluar në shkencat e
ndryshme të fesë islame.
Në fund të aktivitetit, të
pranishmit kanë vizituar me shumë
kureshtje 30 librat e ekspozuar, si dhe
kanë ndarë mbresat dhe emocionet e këtij
aktiviteti në një ftesë për çaj.
|
|
|
|
|
|
|