Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

           
E xhumaja e datës 27 prill 2012, erdhi natyrshëm, duke më sjellë me vete simbolikën e një hytbeje jubilare që mban numrin 100.
           
Mendoj se për çdo hatib, një hytbe xhumaje ka një rëndësi specifike, një lidhje të shtrenjtë shpirtërore me simbolikën e minberit, një dëshirë të madhe për të kryer sa më denjësisht një mision që e lidh me vetë të dërguarin e All-llahut, hz. Muhammedin (a.s) dhe modelin e tij si një hatib i përsosur, mesazhet e të cilit vazhdojnë të rrezatojnë mirësi udhëzimi.
           
Për ne, brezin e parë të teologëve dhe thirrësve islamë të diplomuar në shkollat më të mira të botës islame, përgjegjësia e sjelljes me minberin dhe mesazhet që vijnë nëpërmjet tij, sigurisht që është e dyfishtë. Fillimisht, përgjegjësia e viteve të shumta të studimit dhe më pas, përgjegjësia e amanetit të minberit, prej ku merr rrugë formimi dhe brumosja e shoqërisë islame dhe vlerave të saj.
           
Në shkurt të vitit 2009 doli në qarkullim libri im: “Rrugëtime të një hatibi”. Në faqet e tij, përveç eksperiencës sime dhjetë vjeçare si hatib i xhamisë Tophanë, trajtova edhe elementët e suksesit të një hatibi në marrëdhëniet e tij me botën e Thirrjes islame, me njerëzit, me realitetet shoqërore ku jeton dhe vepron. Asokohe, nuk e kisha menduar se pas një shkëputje dyvjeçare, do të rikthehesha në xhaminë e Tophanës si hatib, për të mbajtur një hytbe, simbolika e së cilës dallonte nga shumë të tjera. Ishte hytbeja ime e 100- të, nga një pozicion, ndryshe nga ai i prag-daljes në qarkullim i eksperiencave të Tophanës…

Idea e mbajtjes së hytbes së ditës së xhuma, nga pozita e Myftiut, xhami më xhami, nuk i ka pëlqyer krejt miqve dhe rrethit tim intelektual e besimtar. Ata kanë mendimet dhe të drejtën e tyre, që shpesh më tundon, por... Për mua, Myftiu duhet ta shfrytëzojë maksimalisht minberin e Resulull-llahit (a.s) për të përcjellë nëpërmjet tij mesazhe dhe për të injektuar besim, kurajo, forcë e optimizëm tek besimtarët që prezantojnë para duarve të tij. Detyra e tij është që nëpërmjet hytbes së ditës së xhuma, të përfshijë të gjithë pjesëtarët e familjes së tij të madhe të besimit, në një atmosferë të përbashkët, në harmoninë e fesë, në unitetin e mendimit (aty ku është e mundur), në tolerimin e tij (aty ku duhet), në përgatitjen shpirtërore dhe intelektuale për të lexuar realitetet e jetuara, në mënyrë që secili të kuptojë rolin e tij në shoqëri dhe atë çfarë duhet të kishte bërë (nëse akoma s’e ka bërë) dhe njëkohësisht atë çfarë duhet të bëjë (nëse është rezervuar më parë për ta bërë).

Në këtë mënyrë, që nga e xhumaja e parë e myftinisë sime më 23 prill 2010 dhe deri më sot, këto 100 hytbe më kanë shërbyer mjaftueshëm për të njohur më mirë përhapjen gjeografike të Myftinisë Shkodër, nivelet e xhemateve, problemet e tyre, ankesat dhe shqetësimet, neglizhencën ndaj halleve që shoqërojnë jetesën e tyre etj. Por jo vetëm.

Këto 100 hytbe dhe takimet e panumërta me besimtarët, më kanë dritësuar edhe më shumë rrugën, për të parë me qartësi drejt asaj çfarë duhet të jetë në realitet Myftinia Shkodër dhe roli i saj elitar në shoqërinë e një qyteti që zhvillohet në mënyrë të çalët, por që ka më shumë se kurrë nevojë për vëmendjen tonë dhe kontributin e sinqertë për të vendosur në vend disa ekuilibra të anashkaluara e ndoshta edhe të humbura prej kohësh nga fanatizmi, paragjykimi dhe hutimi i një shoqërie.
           
Këto 100 hytbe më kanë dhënë kurajo dhe më kanë forcuar në rrugën e shërbimit ndaj interesave të Thirrjes Islame dhe muslimanëve të zonës që mbulon Myftinia Shkodër. Ndoshta, sot jemi më të vonuar sesa mendojmë, për të zënë hapin e ca ritmeve në Shkodër, por nuk jemi aspak të prapambetur për të dëshmuar shpirtin tonë dhe për të vënë në vend, atë çfarë padrejtësisht dhe në mënyrë cinike është zhvendosur në këtë qytet, ku muslimanët janë origjinë, themel i fortë dhe zëri kryesor që duhet të orientojë rrugëtimet e tij në krahët e zhvillimeve kombëtare.
           
Në këto 100 javë, kam lëvizur pothuajse në çdo cep të hartës së Myftinisë Shkodër, nga njëri skaj në tjetrin. Kam mbajtur shënime dhe kam fiksuar momente, që nuk duhen harruar. Kam vërtetuar se shpirti i mirësisë dhe i besimit që buron nga çdo xhami, në çdo fshat e në çdo lagje, është padyshim ai shpirt i mirë, me të cilin Shkodra është kjo që është e, pa të cilin nuk mund t’i thuhet Shkodër!
           
Gjatë hytbeve të mbajtura në xhamitë e qytetit, në: Parrucë, “Ebu Bekër”, Tophanë, Perash, Kiras, Tepe, Ajasëm, Bahçallëk, Zogaj, Rus, në xhaminë e Plumbit, në atë të Medresesë, si dhe në xhamitë e fshatrave, në: Boks, Trush, Golem, Oblikё, Barbullush, Kullaj, Ana e Malit, Mjedё, Vukatanё, Bardhej, Zues, Drisht, Fshati i Ri, Bёrdicё e Mesme, Melgushё, Mes-Myselim, Dragoç, Bushat, Kosmaç, Shtoj i Vjetër, Shtuf, Ganjollё, Milan-Rrasek, Shirokё, Ura e Shtrenjtё dhe nё faltoren e H. Ilir Mujës, ka një emërues të përbashkët: shpirti i vëllazërisë dhe i harmonisë islame, që falë Zotit, sa vjen e konsolidohet dhe forcohet në mesin e muslimanëve të Shkodrës.
           
E kam thënë shpesh, gjatë takimeve të mia me besimtarët, se vetëm duke e ruajtur të pacënueshme këtë vëllazëri dhe harmoni në mes vete, familja e jonë mund të rritet dhe mund të ketë vendin që i takon në elitën e qytetit tonë dhe drejtimin e fateve të tij!
           
Sot, më 27 prill 2012, teksa nga xhamia e Tophanës mbaja hytben e 100-të si Myfti i Shkodrës, u luta me zemër që All-llahu i Madhëruar ta begatojë këtë shërbim dhe ta pranojë të pastër për Madhninë e Tij. U luta, që sa të jem, mos të ndahem nga minberi i Resulull-llahit (a.s) dhe Thirrja e Teuhidit! Thashë: “All-llahumme Amin!” dhe jo vetëm unë thashë...


Shkodër, e xhuma, më 27 prill 2012