Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Paraditën e së enjtes, më 26 prill 2012, Myftiu Imam Muhamed Sytari, ka pritur në një takim të përzemërt drejtuesit e dy Medreseve të Shkodrës, z. Kujtim Dervishi dhe z. Astrit Dervishi, si dhe drejtuesit e Shoqatës “Istanbul”, z. Ridvan seferaj dhe z. Bledjan Mehmeti.
           
Në fjalën e tij të mikpritjes, Myftiu ka theksuar se ky takim ka për qëllim të shprehë mirënjohjen dhe falënderimet e Myftinisë Shkodër për punën plot përkushtim dhe arritjet e suksesshme të dy medreseve të Shkodrës.  

Myftiu ka theksuar se aktiviteti i një dite më parë në teatrin “Migjeni”, ishte jo vetëm një program artistik plot vlera besimi dhe qytetarie, por njëkohësisht edhe një reflektim i punës së madhe dhe përkushtimit që japin ditë pas dite drejtuesit dhe mësuesit e medresesë për rritjen e një brezi të rinjsh plot dije, besim, kulturë dhe vlera kombëtare.
           
Myftiu nuk ka lënë pa falënderuar edhe mbështetjen e shoqatës “Istanbul”, ku ka vlerësuar bashkëpunimin dhe frymën e bashkëveprimit për të arritur rezultate sa më të larta në prezantimin e vlerave islame në qytetin e Shkodrës dhe përtej tij.
           
Nga ana e tyre, edhe drejtuesit e medresesë “Haxhi Sheh Shamia” dhe të shoqatës “Istanbul”, kanë falënderuar Myftiun Imam Muhamed Sytari për angazhimin e tij për të ruajtur vlerat e harmonisë dhe të vëllazërisë islame në Shkodër, si dhe për interesimin e vazhdueshëm ndaj medreseve dhe marrëdhënieve me shoqatën “Istanbul”.
           
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për rrugët e rritjes së aktivitetit dhe veprimtarive të Myftinisë dhe dy medreseve, që përcjellin një atmosferë të duhur të besimit dhe vlerave islame në Shkodër.           

Në fund të këtij takimi, Myftiu i ka dorëzuar drejtuesve të medresesë dhe të shoqatës një mirënjohje për aktivitetin artistik kushtuar Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).

 

Myftiu falënderon drejtuesit e dy medreseve - 26 prill 2012