Myftinia Shkodër ka
organizuar ditën e shtunë, më 21 prill
2012, pas namazit të akshamit një
tribunë fetare me temë: “Shpresa në
mëshirën e All-llahut”, në xhaminë e
Kirasit. I ftuar në këtë tribunë ka qenë
teologu Ahmed Kalaja, imam i xhamisë
“Dine Hoxha” në Tiranë.
Aktiviteti është hapur nga imami i
xhamisë, teologu Ylli Buraniqi, i cili
ka falënderuar Myftininë Shkodër për
përzgjedhjen e xhamisë Kiras për këtë
aktivitet me vlera për besimtarët. Ai ka
shprehur mirënjohjen e tij edhe për të
ftuarin e kësaj mbrëmje dhe është lutur
për të mirën e besimtarëve.
Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka theksuar se këto
tribuna fetare do të organizohen në të
gjitha xhamitë e Shkodrës, si një
përpjekje për t’i afruar edhe më shumë
besimtarët me njëri-tjetrin dhe me
shpirtin e dijes dhe të besimit.
Ai ka theksuar se dekadat, në të
cilat shqiptarët jetuan larg fesë dhe
mësimeve të besimit, ishin vitet më të
errëta të historisë tonë kombëtare.
Myftiu ka falënderuar teologun Ahmed
Kalaja për prezencën e tij dhe ka uruar
suksese dhe mbarësi për aktivitetin në
fjalë.
Në vasin e tij para të
pranishëmve, teologu Ahmed Kalaja ka
folur për rëndësinë që ka për jetën e
besimtarit shpresa në mëshirën dhe
faljen e All-llahut. Nëpërmjet
argumenteve të shumta, ai ka shpjeguar
sesi All-llahu i Mdhëruar ia ka lënë të
hapur derën e pendimit robëve të Tij. Më
pas, ka sjellur shembuj të ndryshëm nga
jeta e dijetarëve të shquar të fesë
islame dhe marrëdhënia e tyre me Zotin e
gjithësisë.
Aktiviteti është përshëndetur
edhe nga Myftiu i Malësisë së Madhe, H.
Edmir Smajlaj, që ka vlerësuar tubimet,
në të cilat bashkohen zemrat dhe zbret
mëshira hyjnore.
|
|
|
|