Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës
Shkodër
Pas dersit të sabahut në xhaminë e
Parrucës, të xhumanë e 13 prillit 2012,
një besimtar m’u afrua dhe kërkoi të më
fliste për ca libra të vjetër, që i
ruante në shtëpi prej shumë kohësh...
Ishin disa qitabe, dikur në
posedim të xhaxhait të tij, rahmetliut
Ali Shoshi. Viti i zullumtë 1967 e
kishte gjetur si imam në xhaminë e
fshatit Boks, ku edhe ishte mbyllur dera
e lirisë së fjalës së tij, me të cilën
thërriste njerëzit drejt vlerave të
Islamit... Ishte koha kur shqiptarëve i
imponohej ateizmi, si një përpjekje e
përshkallëzuar vrastare për t’i zhveshur
nga identiteti i tyre fetar, lavazhi
intelektual dhe tjetërsimi...
Ditën vijuese të takimit tonë, nipi
i imamit, z. Taip Shoshi, teksa më
dorëzonte amanetin e fundit të xhaxhait
të tij, më tregonte se në ato ditë të
vështira, kur po shkatërroheshin xhamitë
dhe po ndalohej feja me ligj, xhaxhai
ishte i vendosur të mos ndalej në rrugën
e tij të Thirrjes dhe të Besimit...
“Për mua s’ka ma kuptim kjo jetë!”-
dëshmon kujtesa e nipit besnik, zëri i
të cilit dridhet, teksa rrëfen kujtime
nga jeta e xhaxhait, të cilit i rrinte
pranë si një djalë i munguar... Ai
kujton se edhe në momentet e fundit të
jetës, xhaxhai i tij ishte shuar me një
fjalë në gojë, të cilën vazhdoi ta
përsëriste derisa fryma e tij e fundit u
shua, duke i dorëzuar shpirtin Krijuesit...
“All-llah... All-llah... All-llah...”-
ishin fjalët e fundit që dilnin nga goja
e një njeriu, që ishte përkushtuar tërë
jetën e tij për të arritur pëlqimin e
Atij, me emrin e të Cilit po largohej
nga kjo botë...
Nipi dëshmon edhe për hidhërimin e
xhaxhait, në momentin kur librat e tij u
sekuestruan nga njerëz me zemra të
errësuara e me duar të palara... Janë
kujtime plot dhembje, që askush s’do të
dëshironte t’i përjetonte, jo më të
ishte personazh kryesor në atë kohë, në
atë situatë, në ato errësira që shenjuan
shkatërrimin e shpirtit shqiptar...
Të dhënat që kemi për jetën dhe
veprimtarinë e Ali Shoshit si imam, janë
pothuajse të pakëta, përveç asaj që kanë
ruajtur familjarët nga dokumentet e
vjetra dhe kujtimet shumëvjeçare...
Sidoqoftë, qitabet e mbetura nga
koha e tij, dëshmojnë për një lexues të
vëmendshëm të arabishtes dhe për një
kërkues të etur për dije të vlefshme e
të dobishme. Në faqet e tyre, kanë
mbetur edhe gjurmë të disa hoxhallarëve
të shquar të Shkodrës, si: Hafiz Adem
Kazazi, Hafiz Abdullah Bërdica, Hafiz
Ymer Bakalli e Hafiz Ibrahim Repishti,
por edhe të ndonjë tjetri, me të cilin
njihemi për herë të parë nëpërmjet kësaj
trashëgimie, si: Hafiz Abdull-llah
Nuredini, a “shkodrani Hafiz Kamil, i
biri i Omer Agës”...
Në mesin e
30 librave të mbetur nga biblioteka e
Ali Shoshit, “i biri i Taipit”, vlejnë
të përmenden:
1. Kur’ani
Famëlartë, në origjinalin e tij në
gjuhën arabe. Libri i All-llahut dhe
Fjala e Tij.
2. 8 vëllimet e
tefsirit të Imam Razit, një ndër veprat
më të rëndësishme dhe me vlerë në fushën
e tefsirit të Kur’anit Famëlartë. Këto
tetë vëllime, përveçse një vlerë e
padiskutueshme e trashëgimisë diturore
të shekujve plot dritë islame, janë edhe
një vlerë më shumë për trashëgiminë
islame në trojet shqiptare.
3. “Shifa-ja”
e Kadi Ijadit. Një ndër librat më të
mirë, në të cilin janë mbledhur jeta,
personaliteti, misioni dhe tradita e Hz.
Muhammedit (a.s).
4. “Halebi
Kebiri”, në jurisprudencën e medhhebit
hanefi.
5. “Mevludi” i përkthyer
në gjuhën shqipe nga Hafiz Ali Ulqinaku.
6. Përmbledhja e hytbeve në gjuhën
arabe, si një pjesë e rëndësishme e
bibliotekës së një imami dhe hatibi të
vëmendshëm.
7. Fjalori
turqisht-osmanisht (1575 faqe) dhe
fjalori arabisht-omanisht (1203 faqe).
Etj.
All-llahu e mëshiroftë
imamin e përkushtuar Ali Shoshi,
kujtimin e mirë të cilit Zoti e ruajti
në faqet e qitabeve, që dëshmojnë
madhështinë e dijes dhe nevojën e
përhershme për dritën e besimit.
(version i shkurtuar)
|