Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

5 vjetori i inaugurimit të xhamisë së re të Parrucës, më ktheu pas në mendime. Shumë kohë më parë, në një vend, ndryshe nga vendi ynë, në një realitet, ndryshe nga realitetet tona të përditshme, dy njerëz të mëdhenj takoheshin për herë të parë në jetën e tyre. Njëri ishte profet i madh, Musai (a.s), tjetri, “një rob prej robëve Tanë”, Hizri (a.s). I pari nxënës, kërkues i dijeve, i dyti mësues, jo si çdo mësues.
           
Episodi i tretë i udhëtimit të tyre, në rrugën e zënies së dijes dëshmohet qartas në Kur’an: “Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hizri) e drejtoi. (Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” – (Kur’ani, el-Kehf, 77).
           
Ai mur, ishte pjesë e pronës së një besimtari të ndershëm, që kishte lënë pas dy jetimë. Poshtë atij muri ndodhej një thesar. Për të ruajtur sinqeritetin e besimtarit të ndershëm dhe sekretin e lutjeve të tij, “Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt.” – (Kur’ani, El-Kehf, 82).
           
Ajo që lidh të sotmen tonë me të shkuarën e dy jetimëve, është besimi në Një Zot dhe shpërblimi i lutjeve të sinqerta për pasardhësit dhe rrugëtimin e tyre.
           
Kush do ta kishte menduar, ato ditë të vitit 1967, kur satanizmi i drejtuesve të shtetit shqiptar kishte arritur kulmin dhe shërbëtorët e tyre shkatërronin xhaminë e Parrucës (si simotrat e saj), se do të vinte një ditë, plot 40 vite pas asaj dite të kobshme, që xhamia e re e Parrucës të ishte sërish aty, në të njëjtin vend, me të njëjtën madhështi, me të njëjtin mision!?
           
Kush do ta kishte menduar, ato ditë të hirta të vitit 1967, teksa në gazetat e sistemit faraonik, njerëz të dehur nga duhma e rëndë e ateizmit deklaronin se: “Lumturinë tonë po e gjejmë tek partia dhe jo tek feja e zoti”[1], do të vinte një ditë, plot 40 vite nga ajo ditë e zezë, kur prishej xhamia e Parrucës, që në të njëjtin vend, duar të pastra muslimane shqiptare do të ngrinin sërish në këmbë faltoren e Teuhidit!?

Kush do ta kishte menduar, ato ditë të kryqëzatës komuniste, teksa një rini e lajthitur, krejtësisht idhujtare i shkruante femohuesit të madh, se: “Nën dritën e fjalimit tuej të 6 shkurtit, ju premtojmë se do të përqafojmë dhe do t’i vemë në jetë mësimet e partisë për zhdukjen e të gjitha mbeturinave, do të djegim me zjarr çfaqjet e hueja që pengojnë ecjen tonë përpara dhe do të kalitemi me moralin komunist. Pak ditë ma parë ne vendosëm njëzani t’i kthejmë dy xhamijat e lagjes nga institucione të errësinës dhe vatra të propagandës së çfrenueme kundër interesave të popullit në qendra për edukimin dhe argëtimin e brezit të ri... Tue kuptue damin që i sjellin familjes dhe shoqnisë zakonet prapanike dhe bindjet fetare, ne zotohemi: 1) Do të punojmë me të gjitha forcat si aktivistë të organizatës së frontit për të dërmue çdo gja që pengon, sado pak, ecjen tonë në rrugën e caktueme nga partia jonë e lavdishme. 2) Do të heqim të gjitha ceremonitë e festat fetare që kanë xanë vend deri tashti. 3) Nuk do të presim njeri për festat fetare. ...”[2], do të vinte kjo ditë e bekuar e rilindjes islame!?

Kush, ato ditë, kur një skllav i ngratë i një sistemi degradues të vlerave njerëzore dhe besimore, thërriste me të madhe se: “Për vazhdimin e luftës kundër ideologjisë fetare, shumë i vlefshëm do të ishte krijimi i një muzeu ateisto-shkencor në qytetin tonë. Hapja e një muzeu të tillë, për të cilin janë krijuar mundësitë, do t’i vlente jo vetëm qytetit dhe rrethit tonë, por edhe rretheve të tjera.”[3], ishte i aftë të mendonte se do të vinte sërish një ditë, kur kjo kolerë faraonike do të fashitej dhe shqiptarët do t’i riktheheshin sërish fesë së tyre dhe amanetit të baballarëve të shkuar!?

Kush, ato ditë kur një shkrimtar servil dhe propagandues i antivlerave shkruante se: “Muzeu ateist i Shkodrës është një ekspoze ku parulla e partisë, “Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet” konkretizohet në mënyrë të shkëlqyeshme... Qymja e Pejgamerit (Muhametit) është vendosur pranë manekinit të shen Prosperit martir... Qymja e Muhametit dilte një herë në vit, ditën e Mevludit që muslimanët fanatikë ta puthnin duke pritur me orë të tëra në procesion... Dokumentat në muze janë të ndryshëm dhe fillojnë që nga vigjilja e shekullit të 19- të për të ardhur në ditët tona. Një histori e tërë e një terrori, vjedhje e gënjeshtre të rafinuar të klerit dhe e lidhjeve të tij me çdo pushtues... çdo të huaj...”[4], mund të mendonte se nuk do të vononte dita, kur faraonët dhe skllevërit e tyre do të bienin dhe servilët e dikurshëm do të ktheheshin në elitën e sotme!?

Teksa lexoj pasrreshtat e takimit të Musait (a.s) me Hizrin (a.s) dhe shoh gëzimin e besimtarëve në këtë ditë të 5 vjetorit të inaugurimit të xhamisë së Parrucës, falënderoj All-llahun e Madhëruar, që na bëri dëshmitar të triumfit të besimit mbi njorancën e femohimit. E falënderoj me të madhe, që na bëri të jemi dëshmitar të mrekullisë së ruajtjes së nderit të lutjes së të parëve tanë, në realitetet e jetuara prej nesh.

Për shumë dekada, ne shqiptarët mbetëm jetimë, si jetimët e kohës së Hizrit. Në thellësitë e shpirtrave tanë ishte mbuluar thesari i besimit, që na lidhte me genin e paraardhësve tanë me mjekra të bardha e kokën në sexhde. Muri, dukej se do të rrënohej, por mëshira e Zotit është më e madhe dhe më e paparashikueshme se llogaritë e atyre që lidhën besën me të mallkuarin! Ai mur u ngrit në këmbë, që ne, në një fazë pjekurie, të arrinim prekjen e themeleve, dëshmimin e amanetit, rikthimin në origjinë!

Për shumë dekada, shqiptarët mohuan Zotin, i shpallën “luftë” Atij, menduan se e bënë Shqipërinë, Satanistan, por gabuan (ndonëse akoma përpiqen me forma të reja)!

Sot, teksa shoh njerëzit të gëzuar për këtë dhuratë të shtrenjtë të Zotit, ose më mirë thuaj: teksa shoh se si shqiptarët po i ndërtojnë vetë xhamitë, me duart e tyre, në damarët e të cilave qarkullon gjaku i baballarëve të ndershëm, muslimanë, besimtarë, me sytë nga toka e duart nga qielli, gëzohem dhe lutem që të jemi si ata, baballarët, sekretin e lutjes së të cilëve e ruajti All-llahu!

Prandaj, në këtë përvjetor të pestë të inaugurimit të xhamisë së qytetarisë shkodrane dhe origjinës së tyre të vërtetë, është mirë të shohim përreth dhe të lutemi që All-llahu të na ruajë nga format degraduese të politikave sataniste, që sërish e marrin për dore shqiptarin drejt humnerave të ateizmit dhe degradimit moral. Sepse, në fund të fundit, format e degradimit satanist, tërheqin ndëshkime hyjnore, që kur bien në tokë dëshmojnë së “perandoria e femohimit dhe imoralitetit” nuk është shpëtimi!

Zot na ruaj dhe na udhëzo!

Shkodër, 23 mars 2012

[1] Q. H., shkrimi me të njëjtin titull, në gazetën “Zëri i popullit”, nr. 77 (5802), e premte, 31 mars 1967, fq. 2.
[2] Letër e hapur e popullit të bllokut nr. 1-2 të lagjes “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, me titull: “Do të heqim të gjitha ceremonitë e festat fetare”, në gazetën  “Zëri i popullit”, v. 26, nr. 73 (5798), e dielë, 26 mars 1967, fq. 3. (Letra mban datën 19 mars 1967).
[3] L. F., “Përdorimi i emrave me origjinë fetare është i dëmshëm”, në gazetën “Jeta e re”, viti II, nr. 59 (134), e mërkure, 24 korrik 1968, fq. 3.
[4] F. K., “Copa të zeza veladonësh – (Duke vizituar muzeumin ateist të Shkodrës)”, në gazetën “Drita”, 14 tetor 1973, fq. 12.

 

E shkuara dhe e sotmja në atmosferën e 5 vjetorit të xhamisë së re të Parrucës