Pasditën e xhumasë,
më 23 mars 2012, Myftinia Shkodër ka
organizuar një tryezë përkujtimore me
rastin e 5 vjetorit të inaugurimit të
xhamisë së re të Parrucës, e financuar
nga bamirësi shkodran, z. Sait Fishta.
Aktiviteti ka nisur me transmetimin
e një filmi 20 minutësh, nëpërmjet të
cilit të pranishmit kanë pasur mundësi
të ndjekin momentet më të spikatura të
ceremonisë së inaugurimit të kësaj
xhamie të re, në mes të Shkodrës, 5 vite
më parë.
Më pas, imami i xhamisë së Parrucës,
teologu Naim Drijaj, ka folur rreth
përgjegjësisë së të qenurit imam në
xhaminë e Parrucës. Ai ka shprehur
emocionet dhe kujtimet e tij më të mira
gjatë këtyre viteve, në të cilat shërben
si imam në xhaminë e Parrucës.
Me shumë nderim është pasuar fjala e
sponsorizuesit të kësaj xhamie, z. Sait
Fishta, i cili ka falënderuar All-llahun
e Madhëruar, i Cili ia mundësoi këtë
mirësi të madhe për ndërtimin e një
xhamie me histori të madhe, si ajo e
Parrucës.
Aktiviteti është përshëndetur edhe
nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari, që ka theksuar se ndërtimi i
xhamisë me duar të pastra shqiptare,
është një sinjal i mirë dhe nxitës për
bamirësi të tjera nga biznesmenët
muslimanë shqiptarë.
Myftiu ka
falënderuar bamirësin Sait Fishta, duke
theksuar se me këtë vepër, ai ka
merituar të jetë qytetar nderi, besimtar
nderi, vëlla nderi dhe mik nderi i
Shkodrës. Më pas, i ka dhuruar atij një
kujtim nga momentet e ceremonisë së
inaugurimit të xhamisë së re të Parrucës,
më 23 mars 2007.
Kanë përshendetur edhe H. Fejzi
Zaganjori dhe z. Astrit Dervishi, të
cilët nuk i kanë kursyer falënderimet
dhe mirënjohjen e tyre për personin që
kontribuoi materialisht për të pasur sot
një xhami model në mes të Shkodrës.
Për të ftuarit, u shtrua edhe një
koktejl, ku bashkëbisedimet dhe këmbimet
e urimeve vazhduan në një frymë
vëllazërore islame.
Në këtë tryezë përkujtimore
merrnin pjesë imamët e xhamive kryesore
të Shkodrës, intelektualë, studiues të
ndryshëm, besimtarë.
|
|
|
|
|