Pas 21 viteve, nga
momenti i parë i rikthimit në atdhe të
dijetarit të shquar islam me famë
botërore, H. Vehbi Sulejman Gavoçi, me
propozimin e Myftinisë Shkodër, Këshilli
i Bashkisë Shkodër, i ka dhënë titullin
e lartë “Qytetar Nderi”, në një ceremoni
me rastin e promovimit të veprës së
shquar të këtij dijetari: “Muhammedi
alejhis-selam – Jeta dhe vepra”, ditën e
shtunë, më 10 mars 2012.
Në këtë ceremoni me vlera fetare,
kombëtare e shkencore, merrnin pjesë
studiues dhe prijës fetarë nga të gjitha
trojet shqiptare; nga Prishtina,
Prizreni, Shkupi, Ulqini, Tirana etj.
Sikurse nderonte me pjesëmarrjen e tij
edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, z.
Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të
Bashkisë, z. Bardhyl Lohja, kryetarë të
komunave të ndryshme, shkrimtarë,
intelektualë, imamët e xhamive kryesore
të Shkodrës, besimtarë etj.
Aktiviteti ka nisur me një
dokumentar të titulluar: “Vehbi Sulejman
Gavoçi- Dijetari që nderon një komb, një
ymet”, ku është prezantuar një pjesë e
mirë nga jeta dhe vepra e këtij dijetari
të shquar të botës islame.
Më pas, Imam Muhamed Sytari, Myfti i
Shkodrës, ka rrëfyer disa momente nga
kujtimet e tij për marrëdhënien e Hoxhës
së nderuar me studentët shqiptarë të
dijes islame, nëpërmjet letërkëmbimit
dhe kujtimeve personale.
Studiuesi islam Nexhat Ibrahimi, nga
Prizreni, ka folur mbi personalitetin e
hz. Muhammedit (a.s), si një i dërguar i
All-llahut për të vendosur ekuilibrat në
mes të shpirtërores dhe materiales në
tokë.
Ndërsa imami i xhamisë “Ebu Bekër”,
teologu Gilman Kazazi, ka bërë një
analizë të veprës së H. Vehbi Gavoçit,
ku ka nxjerrë në pah vlerat dhe dobitë e
kësaj vepre që na afron përherë e më
shumë me kuptimin e jetës dhe misionit
të hz. Muhammedit (a.s).
Aktiviteti është përshëndetur edhe
nga kryeredaktori i Shtëpisë Botuese
“Logos-A”, z. Husamedin Abazi, nga
Prishtina, i cili pasi ka falënderuar
organizimin e kësaj ceremonie, ka
nxjerrë në pah punën e madhe që ka bërë
dhe bën Sh.B. “Logos-A” në drejtimin e
afrimit të lexuesit shqipfolës me veprën
e hz. Muhammedit (a.s). Ai i ka dhuruar
një komplet me kolanën prej 6 botimesh
mbi jetën e hz. Muhammedit (a.s),
Kryetarit të Bashkisë Shkodër dhe
Myftiut të Shkodrës.
Aktiviteti është përshëndetur edhe
nga nën/kryetari i Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili
ka përcjellur edhe urimet e Kryetarit të
K.M.Sh, H. Selim Muça për këtë ceremoni
me vlera për Shkodrën, Shqipërinë dhe
besimtarët kudo.
Në fund të kësaj ceremonie, Kryetari
i Këshillit të Bashkisë Shkodër, z.
Bardhyl Lohja ka bërë dorëzimin e
titullit “Qytetar Nderi” i Shkodrës, për
dijetarin Vehbi Sulejman Gavoçi. Në
pamundësi për të marrë pjesë në këtë
ceremoni, titulli është tërhequr nga
Myftiu i Shkodrës.
Më pas, pjesëmarrësit kanë pasur
mundësi të shohin nga afër
foto-ekspozitën kushtuar jetës dhe
veprës së dijetarit Vehbi S. Gavoçi dhe
botimet e tij të shumta në gjuhën arabe
dhe atë shqipe.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|