Pasditën e së enjtes,
më 8 mars 2012, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka pritur në një vizitë
vëllazërore një grup studiuesish nga
Universiteti i Bosforit në Stamboll të
Turqisë.
Gjatë vizitës, studiuesit nga
Stambolli janë interesuar të dijnë për
historinë e Islamit në Shkodër dhe
zhvillimet e Thirrjes Islame në këtë
qytet tërheqës për çdo vizitor.
Myftiu ka shpjeguar se Islami i ka
gjurmët e thella dhe shumëshekullore në
Shkodër e Shqipëri. Ai ka theksuar se
historia ka vërtetuar se feja islame
është zhvilluar edhe më shumë në trojet
shqiptare pasi ato u bënë pjesë e
kalifatit osman.
Myftiu ka falënderuar kontributin e
universiteteve, shoqatave bamirëse dhe
fondacioneve të ndryshme kulturore turke
pas vitit 1990 në Shqipëri dhe ka
theksuar se traditat islame janë një
emërues i përbashkët i shqiptarëve me
popullin vëlla turk.
Gjatë këtij takimi Myftiu i ka
njohur vizitorët edhe me faktin se
Shkodra është një qytet me dominancë
islame, ku jetojnë edhe dy komunitete të
tjera fetare, ai katolik dhe ai ortodoks.
Sikurse ka theksuar se harmonia dhe
bashkëjetesa ndërfetare gjatë historisë
së këtij qyteti ka dëshmuar një
normalitet, që buron nga mësimet e
shenjta dhe tradita profetike e dëshmuar
historikisht.
|
|
|
|