Pasditën e së hënës,
më 27 shkurt 2012, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka zhvilluar një
bisedë telefonike me dijetarin e shquar
islam me prejardhje nga Shkodra, H.
Vehbi Sulejman Gavoçi, i cili jeton dhe
punon në Damask të Sirisë.
Myftiu është interesuar për
shëndetin e Hoxhës së moshuar, për
aktivitetin e tij dhe është lutur që
All-llahu t’i japë shëndet të plotë,
forcë dhe mbarësi për të qëndruar si një
pishtar udhëzimi për të rinjtë muslimanë
dhe ymetin islam.
Ndërkohë, Hoxha
i moshuar, është lutur për mbarësinë e
Thirrjes Islame, për rininë, burrat dhe
gratë besimtare në Shkodër dhe në mbarë
Shqipërinë. Hoxha i nderuar ka
këshilluar që të mos lihet pas dore feja
dhe që shqiptarët të kujtojnë rrënjët e
tyre islame dhe të frikësohen para
duarve të All-llahut.
H. Vehbi S.
Gavoçi ka lindur në qershor të vitit
1923 në Shkodër. Në qershor të vitit
1937, i ati, H. Sulejman Gavoçi, me
familje dhe disa të afërm emigroi drejt
Sirisë, ku u vendos në Damask, ku edhe
ndërroi jetë.
Në periudhën
1937-1947, Hoxha i nderuar kreu studimet
teologjike në Universitetin “El-Ez’her”
në Kajro të Egjiptit dhe nga ajo kohë e
deri në ditët e sotme ka punuar me
shpirt dhe përkushtim për Thirrjen
Islame dhe dituritë e shkencave islame,
fikhut hanefi, akides, moralit islam,
historisë islame etj, duke u afirmuar si
një ndër dijetarët më elitarë të botës
islame me veprat e tij, këshillën e
ëmbël dhe mësimet e tij.
Ka
dhënë mësime në shkollat më të mira të
teologjisë islame në Medine të Arabisë
Saudite, në Amman të Jordanisë, në
Damask e Haleb të Sirisë, në Dubaj të
Emirateve të Bashkuara Arabe etj. Është
autor i mbi 30 veprave islame në gjuhën
shqipe, i mbi 25 veprave origjinale në
gjuhën arabe, si dhe bashkëautor e
redaktor i mbi 10 veprave në gjuhën
arabe.
Në vitin 2005, Imam
Muhamed Sytari ka botuar në Prishtinë, monografinë: "Vehbi
Sulejman Gavoçi- Dijetar nga dijetarët e
ymmetit"- (Botim i
Bashkësisë Islame të Kosovës).
|
|