Paraditën e së
shtunës, më 25 shkurt 2012, Këshilli i
Myftinisë Shkodër ka zhvilluar një
vizitë në Bashkësinë Islame të Ulqinit.
Vizitorët nga Shkodra janë pritur nga
Kryeimami i Ulqinit, Rifat ef. Jusufi me
bashkëpunëtorët e tij, si dhe Kryetari i
Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu.
Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë të
zhvilluar në mes të Myftiut të Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari, Kryeimamit të
Ulqinit, Rifat ef. Jusufi dhe Kryetarit
të Komunës Ulqin, z. Nazif Cungu, është
folur mbi rëndësinë që kanë takimet që
afrojnë shqiptarët me njëri-tjetrin, aq
më tepër kur janë besimtarë të një feje,
që qëndron në themelet e kulturës dhe
qytetërimit shqiptar.
Është diskutuar për mënyrat e
shtimit të bashkëpunimit të ndërsjellët,
afrimin e Shkodrës me Ulqinin edhe
nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta
fetare në raste të festave të shënuara
dhe datave përkujtimore. Myftiu Imam
Muhamed Sytari ka ftuar Kryeimamin e
Ulqinit, Rifat ef. Jusufi, që të
studiohet mundësia e binjakëzimit të dy
institucioneve fetare në kuadër të këtij
bashkëpunimi.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i
ka dhuruar Kryetarit të Komunës Ulqin
dhe Kryeimamit të tij, përmbledhjen e
vitit 2011 të gazetës “Udha Islame”. Me
këtë rast, ai ka ftuar teologët dhe
studiuesit e fesë islame në Ulqin që të
botojnë në këtë gazetë, e cila ka hyrë
në 10 vjetorin e saj.
Më pas, Myftiu dhe antarët e
Këshillit të Myftinisë Shkodër, kanë
vizituar edhe Xhaminë e Marinarëve, që
është në fazën e fundit në prag të
inaugurimit të saj. Gjatë një interviste
për Tv Teuta, Myftiu i Shkodrës ka
shprehur kënaqësinë e tij për këtë
vizitë në Ulqin dhe ka vlerësuar
personalitetin e dijetarit të shquar
Hafiz Ali Riza Ulqinaku, për të cilin ka
thënë se: “Vepra e tij, “Mevludi”, është
bërë pjesë e pandarë e aktiviteteve
fetare dhe festave të ndryshme që
kremtojnë muslimanët shqiptarë në çdo
cep të botës”.
Një bashkëbisedim i ngrohtë dhe
vëllazëror është zhvilluar në mes të
pjesëtarëve të dy këshillave në
mëngjesin e shtruar nga Kryeimami i
Ulqinit për nder të vizitorëve nga
Shkodra.
Kjo vizitë e parë e Këshillit të
Myftinisë Shkodër në Bashkësinë Islame
të Ulqinit, ka përfunduar me faljen e
namazit të mesditës në xhaminë qendrore
të Ulqinit.
|
|
|
|
|