Nëpërmjet hytbes së
xhumasë, më 24 shkurt 2012, nga xhamia e
Ajasmës, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed
Sytari ka dhënë disa mesazhe për
shoqërinë islame në Shkodër dhe përtej
saj, në lidhje me organizimin e
muslimanëve dhe daljen nga gjendja e
shoqërisë “masë”.
Myftiu ka theksuar se ymeti islam
është ymet i dijes dhe i përparimit
dituror, por realiteti i kohëve të
fundit ka dëshmuar se shoqëria islame ka
ngelur shoqëri analfabete, që drejtohet
në një mënyrë aspak të pranuar drejt
zhveshjes së heshtur nga kultura dhe
morali islam.
“Para pak ditësh, para duarve të
xhamisë kryesore të Shkodrës, u
organizuan karnavalet 100 orëshe. Ne nuk
ndalojmë njeri të prezantojë kulturën e
tij, por, ne nuk jemi shoqëri maskash,
as nuk duhej të toleronim zhvillimin e
tyre para xhamisë tonë, ndonëse për këtë
zhvillim u njohëm pasi ai ishte bërë
fakt i kryer. Muslimanët duhet të
zgjohen nga gafleti i tyre, për të parë
sesi funksionon ky qytet, ku janë
muslimanët në këtë qytet? Si ka mundësi,
që të tolerohet një “sfidë faraonike”,
aty, para duarve të faltores së TEUHIDIT
nga cilido a cilado që ka humbur rrugën
e udhëzimit? Si ka mundësi, që ditë pas
dite, ky qytet të marrë një ngjyrë, që
kurrë nuk ka qenë ngjyra e tij?
Muslimanët nuk e sfidojnë Zotin!
Muslimanët nuk tallen as abuzojnë me
simbolet fetare të tjetrit! Muslimanët,
nëse flasin për harmoninë, kjo s’do të
thotë se disa të pavëmendshëm me pushtet
të abuzojnë me dinjitetin e këtij qyteti,
në rrënjët e të cilit qëndron dinjiteti
i Islamit dhe i muslimanëve!”- ka
theksuar Myftiu në hytben e tij.
Më pas, ai ka hedhur dritë edhe
mbi disa fenomene, që i ka quajtur “larg
perceptimit islam”, në realitetet islame
të shoqërisë shkodrane, sikurse ka ftuar
intelektualët muslimanë të mos kenë
ndrojtje për të dëshmuar fenë e tyre,
kulturën e saj dhe botën e mrekullueshme,
me të cilën i dha jetë dhe nder këtij
vendi dhe kësaj shoqërie islame.
|
|
|