Paraditën e së dielës, 
										më 19 shkurt 2012, Myftinia Shkodër ka 
										vijuar me ndihmën e familjeve të 
										izoluara nga dëbora e ditëve të fundit 
										në zonën e Shkodrës.  
Një kamion 
										me pako ushqimore për 100 familje janë 
										dërguar drejt Pukës, ku nëpërmjet 
										Myftinisë së këtij qyteti do të bëhet 
										shpërndarja e ndihmave për familjet e 
										izoluara në këtë zonë.
           
										
Në një intervistë para mediave të 
										pranishme, anëtari i Kryesisë së 
										Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. 
										Genti Kruja ka deklaruar se që nga ditët 
										e para të kësaj situate, Komuniteti 
										Mysliman i Shqipërisë është 
										sensibilizuar me njerëzit në nevojë dhe 
										ka bërë thirrje që të mblidhen ndihma të 
										ndryshme për të izoluarit nga dëbora. Në 
										këtë kontekst, ai ka falënderuar edhe 
										angazhimin e Myftinisë Shkodër dhe 
										dërgesën e kësaj dite drejt Pukës, ku do 
										të ndihmohen 100 familje në nevojë dhe 
										të izoluara nga dëbora.
           
										
Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës Imam 
										Muhamed Sytari ka theksuar se këto 
										ndihma janë një kontribut human në një 
										situatë, ku të gjithë duhet të 
										bashkëpunojnë për tejkalimin e kësaj 
										situate.
Ai ka përmendur se 
										ditëve të fundit, një deputet i 
										parlamentit shqiptar i ka bërë thirrje 
										drejtuesve fetarë të kthejnë paratë e 
										caktuara për këto komunitete nga qeveria, 
										për të ndihmuar të izoluarit. 
										Myftiu ka thënë, se komunitetet fetare 
										kanë qenë të parat që janë sensibilizuar 
										me sinqeritet për të ndihmuar njerëzit 
										në nevojë, jo me preferenca raciste, por 
										për “riza të Zotit” dhe pa dallime 
										përçarëse.
“Ai që përpiqet të 
										përfitojë nga situatat kritike që kalon 
										vendi për qëllime meskine, është meskin. 
										Deputeti në fjalë, t’i ftojë kolegët e 
										tij dhe të kontribuojnë me rrogën mujore 
										për njerëzit e izoluar, jo të përpiqet 
										të lartësohet me përmendjen e drejtuesve 
										fetarë të vendit. Deputeti dhe kolegët e 
										tij të mësojnë nga drejtuesit fetarë 
										shqiptarë, frymën e harmonisë, dialogut, 
										bashkëjetesës dhe komunikimit paqësor, 
										jo të përfitojë nga kjo situatë e 
										vështirë për të nxitur përçarje meskine 
										për interesa të ulëta!”- ka thënë Myftiu.
										
| 
										
												 | 
| 
												 | 
| 
												 | 
| 
												 | 
