Të xhumanë, më 17
shkurt 2012, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari ka mbajtur hytben e
xhumasë në xhaminë e Bahçallekut, ku ka
folur për rëndësinë që ka xhamia në
edukimin e njerëzve me besimin në Një
Zot, frymëzimin me shpirtin e harmionisë
dhe dashurisë për njëri-tjetrin, si dhe
plotësimin me moralet e bukura të fesë
islame.
Në fjalën e tij, Myftiu ka bërë një
krahasim të kohës kur shqiptarët
prishnin dhe shkatërronin xhamitë në
emër të ateizmit dhe sistemit komunist
dhe kohës së pas viteve 90-të, kur
fushatat kundër Islamit dhe moralit të
tij janë modifikuar në formë, por nuk
kanë ndryshuar në cilësinë e tyre.
Ndër të tjera, Myftiu ka thënë: "Shqiptarëve
u është prishur gjaku, qëkur i lejuan
vetes të prishnin xhamitë e All-llahut
dhe të mohonin trashëgiminë e tyre
shpirtërore! Shqiptarët, e kanë për
detyrë të kërkojnë falje dhe të pendohen
para duarve të Atij, që nuk hezituan ta
mohonin dekada më parë. Ai gjak duhet
pastruar me istigfar, sinqeritet dhe
përkushtim për të shpëtuar nga pasojat e
ndëshkimit hyjnor! Nga 67-ta e tutje, në Shqipëri
u mohua ZOTI. Nga 90-ta e tutje, po
punohet për mohimin e trashëgimisë së
shpirtit islam dhe zëvendësimin e tij me
modelin e hipokrizisë dhe laramanizmit! Zot
na fal dhe na udhëzo!
Më lejoni të sjell një shembull në
përforcim të kësaj që po them. Në vitin
1967, propaganda antiislame kishte
mbërritur deri aty, sa në gazetën
famëkeqe “Zëri i Popullit” shkruheshin
edhe çmenduri të tilla si: “...Pak ditë
ma parë ne vendosëm njëzani t’i kthejmë
dy xhamijat e lagjes nga institucione të
errësinës dhe vatra të propagandës së
çfrenueme kundër interesave të popullit
në qendra për edukimin dhe argëtimin e
brezit të ri...” [1]
Si kjo dëshmi e zezë, ka plot në këtë
gazetë dhe simotrat e saj! Por, pas
viteve 90-të, nuk ka pasur ndonjë
ndryshim në cilësinë e kësaj propagande,
ndonëse ka ndryshuar stili; nuk prishen
më xhami, por prishet shpirti i rinisë,
që është e barabartë me prishjen e
shpirtit të krejt kombit!”
Gjatë kësaj hytbeje, Myftiu ka bërë
thirrje edhe për të ndihmuar njerëzit në
nevojë dhe në veçanti të izoluarit nga
dëbora gjatë ditëve të fundit. Ai është
lutur për ta dhe për mirëqenien në
Shkodër, Shqipëri dhe në mbarë ymetin
islam.
Al. Hoxha
|
|