Në kuadër të fushatës
së solidaritetit me njerëzit e izoluar
nga dëbora e ditëve të fundit, që ka
ndërmarrë Komuniteti Mysliman i
Shqipërisë, ditën e hënë, më 13 shkurt
2012, Myftinia Shkodër ka organizuar
shpërndarjen e pakove ushqimore për 80
familje rome të izoluara nga dëbora në
hyrje të qytetit të Shkodrës.
I pranishëm në shpërndarjen e
ndihmave ka qenë edhe Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari, i shoqëruar nga
antarë të Këshillit të Myftinisë Shkodër.
Para mediave të pranishme,
Myftiu ka deklaruar se kjo fushatë
solidarizimi me njerëzit e izoluar nga
dëbora është një nisëm humane dhe
bamirëse e Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, në ndihmë të vëllezërve dhe
motrave që kanë nevojë për ndihmën tonë
në këto ditë të vështira. Myftiu ka bërë
thirrje që këta njerëz të përkrahen,
pasi kushtet e vështira në të cilat
jetojnë janë jashtëzakonisht të vështira
dhe aspak të përshtatshme për njerëz
normal në shekullin 21. Myftiu ka
tërhequr vëmendjen e biznesit dhe
pushtetit lokal që të interesohet
maksimalisht për këtë shtresë të mjerë
të shoqërisë sonë, që jeton në kushte
krejtësisht të papranueshme për një
shoqëri të civilizuar.
Në bashkëbisedim me banorët e
izoluar të zonës së romëve, Myftiu ka
theksuar se Myftinia Shkodër e ka
ndërmarrë këtë fushatë humane për t’u
ardhur në ndihmë dhe për të
sensibilizuar opinionin publik në lidhje
me situatën e vështirë në të cilën jeton
ky komunitet.
Banorët e kësaj zone pothuajse e
përmbytur nga uji, bora dhe balta, kanë
shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e
tyre për Komunitetin Mysliman të
Shqipërisë që iu gjend pranë në këto
ditë të vështira të këtij dimri.
V. Mehmeti
|
|
|
|