Paraditën e së enjtes,
më 9 shkurt 2012, Myftinia Shkodër ka
ndihmuar një familje të përfshirë nga
zjarri në qytetin e Shkodrës. Ka qenë
vetë Myftiu Imam Muhamed Sytari që ka
vizituar familjen e z. Gëzim Rexha,
shtëpia e të cilit është djegur para pak
muajsh dhe tashmë jeton në një mjerim
dhe skamje të madhe. Zotëria në fjalë
jeton i vetëm, është i papunë dhe pa
asnjë përkrahje a ndihmë sociale.
Pasi ka vizituar ambientet e
shtëpisë në fjalë, Myftiu e ka
ngushëlluar z. Rexha për fatkeqësinë dhe
e ka ftuar të jetë durues dhe ta pranojë
këtë sprovë me besim në Zotin, i cili
nuk e braktis robin e Tij.
Para mediave të pranishme, Myftiu ka
dhënë një mesazh solidarizimi me rastin
në fjalë duke i bërë thirrje
biznesmenëve dhe njerëzve me pushtet në
Shkodër që ta kenë parasysh këtë rast
dhe shumë të tjerë, që kanë nevojë për
ndihmë dhe përkrahje.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i
ka dorëzuar z. Gëzim Rexha, një ndihmë
ushqimore dhe një sasi të hollash, me të
cilat Myftinia Shkodër shpreson se do të
ndihmojë sadopak vështirësinë dhe
situatën në të cilën ndodhet personi në
fjalë.
Nga ana e tij, edhe z. Gëzim
Rexha ka shprehur mirënjohjen e tij për
Myftininë Shkodër për ndihmën bujare në
një moment shumë të vështirë të jetës së
tij.
|
|
|
|
|
|