Ditën e dytë të
Panairit të Librit Islam në Shkodër, më
5 shkurt 2012, është zhvilluar promovimi
i librit-album: “Institucionet islame të
Shkodrës”, me autorë Smajl Bala dhe
Blendi Alushi.
Aktiviteti ishte pjesë e
bashkëpunimit të Myftinisë Shkodër dhe
Shtëpisë botuese të Institutit Shqiptar
të Mendimit dhe Qytetërimit Islam
(AIITC), me qendër në Tiranë.
Në fjalën e tij para të pranishëmve,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
vlerësuar këtë botim të mbështetur nga
AIITC, duke vënë në dukje se nxjerrja në
pah e vlerave dhe gjurmëve të
hoxhallarëve të Shkodrës është një punë
e vështirë dhe një kontribut i vyer për
traditën dhe kulturën e qytetit tonë. Ai
ka shprehur mirënjohje për autorët, për
mundin dhe përpjekjet për të bërë më të
mirën në këtë libër-album.
Më pas, nëndrejtori i AIITC, z.
Bedri Telegrafi ka folur mbi rëndësinë
që botimi i librave që flasin dhe
nxjerrin në pah kontributin e
hoxhallarëve shqiptarë në mbrojtjen e
interesave islame dhe ato kombëtare. Ai
ka përmendur shumë prej hoxhallarëve
shkodranë të përmendur në këtë botim të
ri, duke shprehur vlerësim dhe
mirënjohje për gjurmët e lënë prej tyre.
Njëkohësisht ai ka falënderuar edhe
autorët për punën dhe kontributin e
dhënë me anë të këtij albumi.
Kanë përshëndetur aktivitetin edhe
z. Muamer Vuci, H. Fejzi Zaganjori dhe
nën/kryetari i Bashkisë Shkodër, z.
Ridvan Trashani, të cilët kanë dhënë
mendimet e tyre për albumin në fjalë.
Në fund, autorët kanë shprehur
vlerësimet e tyre për këtë aktivitet,
nevojën e këtij botimi dhe mirënjohjen e
thellë për botuesin.
Në emër të AIITC, nën/drejtori,
z. Bedri Telegrafi i ka dhuruar
bibliotekës së qytetit Shkodër disa nga
botimet më të spikatura të realizuara
nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe
Qytetërimit Islam.
|
|
|
|