Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Në kuadër të përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), Myftinia Shkodër ka organizuar ditën e shtunë, më 4 shkurt 2012 (12 rebiul-evvel 1433) ceremoninë tradicionale të Mevludit Sherifë, në xhaminë e Parrucës.
           
Pas faljes së namazit të mesditës, besimtarët e pranishëm kanë dëgjuar fillimisht ligjëratat e mbajtura nga teologët Bashkim Bajraktari dhe Durim Kasemi.
           
Në temën e tij: “Rëndësia e përkujtimit të lindjes së hz. Muhammedit (a.s)”, H. Bashkim Bajraktari ka vënë theksin te domosdoshmëria e përkujtimit të personalitetit të hz. Muhammedit (a.s), si i dërguar i All-llahut, si njeri, si udhëzues e këshillues i drejtë. Ai ka theksuar se sado që të përpiqen studiuesit e jetës dhe misionit të hz. Muhammedit (a.s), për ta përkufizuar atë, asnjëherë nuk mund t’ia arrijnë plotësisht, nga madhështia me të cilën e ka veçuar Zoti i gjithësisë.
           
Ndërsa imami i xhamisë Parrucë, teologu Durim Kasemi, në temën e tij: “Hz. Muhammedi (a.s)- shembulltyra e muslimanit”, ka spikatur disa stacione të rëndësishme në personalitetin e të dërguarit të All-llahut, sidomos në marrëdhëniet e tij me Zotin, me familjen, me shoqërinë dhe kundërshtarët e tij. Ai ka theksuar, se në çdo moment, i dërguari i All-llahut ka qenë një shembull, të cilin duhet ta ndjekë dhe ta praktikojë çdo musliman në jetën e tij.
           
Më pas teologu Resmi Likaj dhe medresisti Orhan Dani kanë kënduar disa pjesë nga “Mevludi” dhe ilahi, nëpërmjet të cilave kanë përcjellur emocione tek të pranishmit.
           
Ndërkohë, në fjalën e tij Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, ka vlerësuar se realitetet shqiptare kanë nevojë për mësimet dhe shembullin e hz. Muhammedit (a.s), sidomos në ditët e sotme, kur përpjekjet për t’u kthyer në idhujtari, injorancë dhe imoralitet, janë prezente në çdo vend. Ai ka kërkuar nga të pranishmit që ta përfytyrojnë të dërguarin e All-llahut të pranishëm në mesin e tyre dhe të pyesin zemrat për dashurinë karshi tij.
           
Duke iu referuar disa vargjeve të botuara në vitin 1932 në revistën “Zani i Naltë”, nga z.  Hysni Bushati, i cili thotë: “Ti je vetë lumtenija – Për gjith botën Myslimane – Mos harro, se shqiptarija – Të kanë babë e të kanë nane”, Myftiu ka thënë: “Edhe unë them, në 100 vjetorin e Shqipërisë, se për kombin shqiptar Resulull-llahi është babë e nanë dhe se pa lidhjen shpirtërore me të dërguarin e All-llahut, Muhammedin (a.s), nuk ka kuptim shqiptaria!”.
           
Në fund të kësaj ceremonie, në shoqërinë e salavateve, të pranishmit kanë vizituar “Qimen e Pejgamberit (a.s)”, një gjurmë profetike e trashëguar ndër shekuj në Shkodër.
           
Aktivitetet me rastin e Mevludit Sherifë do të vazhdojnë edhe në xhamitë e tjera të Shkodrës.Al. Hoxha

 

Ceremonia e Mevludit Sherifë në Shkodër - 4 shkurt 2012

Ceremonia e Mevludit Sherifë në Shkodër - 4 shkurt 2012

Ceremonia e Mevludit Sherifë në Shkodër - 4 shkurt 2012

Ceremonia e Mevludit Sherifë në Shkodër - 4 shkurt 2012

Ceremonia e Mevludit Sherifë në Shkodër - 4 shkurt 2012

Ceremonia e Mevludit Sherifë në Shkodër - 4 shkurt 2012

Ceremonia e Mevludit Sherifë në Shkodër - 4 shkurt 2012