Paraditën e së
mërkures, më 1 shkurt 2012, imamët e
qytetit Shkodër janë tubuar në një takim
me Myftiun Imam Muhamed Sytari, në të
cilin është diskutuar kryesisht për
përgatitjet e fundit me rastin e
përkujtimit të Lindjes së Begatë të hz.
Muhammedit (a.s).
Në fillim të këtij takimi, Myftiu ka
bërë prezent rëndësinë që ka shfrytëzimi
i kësaj ngjarje për të ftuar njerëzit
drejt dashurisë dhe respektit për të
Dërguarin e fundit, Muhammedin (a.s).
Myftiu ka vënë në dukje se larmia e
aktiviteteve që do të organizohen, do të
jetë në raport me mesazhet e kësaj dite
të madhe, përhapjen gjeografike të
xhamive dhe xhemateve, si dhe me sfidat
e kohës.
Më pas Myftiu ka kërkuar nga imamët
që të bëjnë më të mirën e tyre për ta
prezantuar këtë ngjarje në formën më të
dashur dhe më të afërt me nevojën
shpirtërore të njerëzve. Njëkohësisht ka
bërë të ditur programin e ceremonisë
tradicionale, ku do të prezantohet edhe
“Qimja e Pejgamberit”, si një traditë e
vjetër islame e Shkodrës, e bazuar në
traditat e vjetra profetike, sahabëve të
tij të nderuar dhe brezave të dijetarëve
që pasuan.
Në këtë takim është folur edhe për
panairin e librit islam që do të
zhvillohet për herë të parë në Shkodër,
në dy ditë, më 4 dhe 5 shkurt 2012, nga
ora 9.00 – 17.00, në bibliotekën e
qytetit. Është theksuar se ky aktivitet
është shumë i rëndësishëm, sidomos për
të rinjtë muslimanë, intelektualët,
studiuesit dhe dashamirët e librit.
“Ne jemi ymeti i librit dhe i
dijes dhe na shkon të organizojmë
panaire dhe çdo aktivitet tjetër që
lidhet me librin dhe dijen!”- ka
theksuar ndër të tjera Myftiu.
Më pas, imamët e nderuar kanë dhënë
mendimet e tyre dhe kanë diskutuar në
lidhje me organizimet e aktiviteteve në
kuadër të përkujtimit të Mevludit
Sherifë, si dhe kanë përshëndetur
organizimin e panairit të librit islam
në Shkodër, si një risi e bukur dhe një
aktivitet i munguar prej kohësh.
K. Kraja
|
|
|