Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Ditën e mërkure,
më 18 janar 2012, kisha planifikuar të
zhvilloja një inspektim të detajuar në
zonën, ku shtrihet xhamia e Zogajve,
buzë liqenit të Shkodrës. Pamja që të
shoqëron nga momenti që ke kaluar Urën e
Bunës dhe je drejtuar fillimisht për në
Shirokë e më pas drejt Zogajve, është
shumë tërheqëse. Kjo periudhë e vitit ka
bukuritë e veta, të cilat nuk është e
vështirë të preken e të shijohen, teksa
rrugëton drejt këtij destinacioni. Nga
njëra anë Taraboshi me madhështinë e tij,
nga ana tjetër Buna me pamjen e saj, si
një pasqyrë që reflekton shumëçka nga
një qytet dhe njërezit e tij...
Te xhamia, më pret imami i saj Ylber
Rupa. Së bashku, të shoqëruar edhe nga
administratori dhe menaxheri i
Myftinisë, nisim të hulumtojmë e të
shkelim terrenin e vakëfit të kësaj
lagje të harruar në një cep të largët të
qytetit, me të cilin e ndan një liqen e
madh, sa vetë harresa e këtij qyteti...
Nga xhamia duket qartas një pjesë e
zaptuar e këtij vakëfi. Si një skelet
kufome, qëndron në këmbë një ndërtese
trekatëshe, nën këmbët e së cilës
gjunjëzohet nderi i një pushteti gafil,
që është kthyer tre herë duarbosh, në
fushatat e tij për të kthyer në vend një
të drejtë të shenjtë të muslimanëve në
këtë zonë...
Një Zot e di, se kur do të soset
durimi i jonë në rrugën e gjatë e të
përbaltur nga faktorë jashtë komunitetit
e vullnetit tonë, për të pastruar një
herë e mirë vakëfin e shenjtë nga kjo
kolerë zaptuesish që nuk e kanë frikë
Zotin dhe që nuk e kuptojnë se harami
nuk ka bereqet, fundin e ka bjerrës...
Xhamia e Zogajve është e rrethuar
gjithandej nga varre të vjetra të
muslimanëve të saj. Diku, nën një cep
guri, në mesin e shkurreve, myshqeve dhe
bimëve të egra që i kanë marrë frymën,
pushon një “merhum” a “merhume”... Diku
tjetër, një gur i rrumbullakët, si një
çallmë e vjetër, dëshmon se pranë tij,
një imam a hoxhë, ka pushuar së thirruri
njerëzit në fenë e All-llahut. Tashmë,
ka rrugëtuar me shpirtin e tij drejt
mëshirës hyjnore dhe është bërë pjesë e
së shkuarës që lexohet a preket në
librat e historisë...
Historia e gurëve të varreve në
Zogaj është interesante. Gjithandej,
edhe në muret e ndërtesave të ndryshme,
si shkolla e lagjes, posta e ndonjë
objekt tjetër, gurë të ndryshëm me
shënimet përkatëse janë shkrirë në
ndërtesë, duke i dhënë asaj shpirt
trashëgimie e ngjyrë historie të vjetra
me shkrime arabo-osmane...
Teksa i vizitoj nga afër dhe i prek
me dorë, më duket se në të njëjtën kohë
prek edhe shpirtin e një kohe dhe një
vendi, ndryshe nga koha dhe vendi në të
cilin ndodhem aktualisht. Më duket se
nëpërmjet kësaj prekje, ndjej frymën e
besimit të paraardhësve muslimanë të
kësaj zone... Ata duken të zemëruar,
teksa shohin se ndonjë nga pasardhësit e
tyre është kthyer në zaptues të asaj që
ata vetë i dhuruan xhamisë... Ndjehen të
fyer, kur shohin se ezani nuk i afron më
me shtëpinë e All-llahut shumë prej
trashëgimtarëve të tyre dhe... zemërimi
ngurtësohet, ftohet dhe mbetet i vetëm
në një mur, mbi një varr, a bri liqenit,
nga valët e të cilit lagen çdo ditë
gurët e zemëruar të shumë prej varreve
të vjetra të kësaj toke...
1233 hixhri. Para duarve, më del një
gur varri që dëshmon se nën tokën, që
sapo e kemi shkelur pushon një njeri, që
ka ndërruar jetë këtu e 200 vjet më parë.
Se si ndjehesh, teksa prek një gur varri
dyqind vjeçar. A thua vallë, dyqind vjet
pasi të jemi larguar nga kjo botë,
dikush, me besim në All-llahun dhe
dëshirën e shërbimit ndaj kësaj feje, do
të kalojë pranë varreve tona, duke i
prekur gurët e duke lexuar një lutje
mëshire..!?
Pak më tutje, mbi një varr shënohet
viti 1205, pastaj viti 1206, më pas viti
1258 e shumë të tjerë. Varrezat e këtij
vendi janë të lashta, mbi dyqind vjeçare.
Gurët e gdhendur bëhen dëshmitarë besimi
dhe trashëgimtarë të një amaneti, që në
vetëvete thërret me të madhe që të ruhen
gjurmët e të mos prishet besa e besimit...
Në mesin e ca shkurreve dhe ferrave
të larta, duket koka e një varri, të
cilin të gjithë e dijnë se është më i
veçanti i krejt varreve të tjera. Është
i lashtë, aq sa me vështirësi mund të
dallohet data e tij... Në ballë të këtij
guri të lartë, lexohet dëshmia e një
trimi, një heroi, një muslimani të
përkushtuar që dha jetën e tij në rrugë
të All-llahut... “Shehidi i All-llahut...”,
është shënimi mbi këtë varr, që ngjall
respekt dhe përulje nderimi, ndaj një
shehidi shkodran, që vetëm All-llahu e
di më së miri se përse e ka marrë këtë
llagep fisnik e këtë vulë burrërie...
Teksa lexoj një “Fatiha” mbi varrin e
shehidit në Zogaj, kujtesa më merr për
dore drejt Çanakalasë, atje larg në
Anadoll, ku pushojnë shumë shehidë, në
mesin e të cilëve edhe disa të rinj
shkodranë, të cilëve u kam lexuar nga
një “Fatiha”, shumë vite më parë, gjatë
një vizite në vendpushimin e tyre të
fundit të kësaj bote...
Duke shkelur mbi bregun e liqenit,
ca punëtorë na përshëndesin. Janë të
interesuar të na tregojnë diçka që e
kanë zbuluar para pak ditësh, teksa
gërmonin për të shtruar lulishten e re
dhe pedonalen e lagjes. Janë dy koka
gurësh varri. Kanë një formë të ngjashme
me njëra-tjetrën, por ndryshojnë në
madhësi. Nga pamja e parë duken si gurët
e varrit të ndonjë prijësi fetar a
udhëheqësi të kohës. Ajo që ka mbetur e
shkruar mbi këta gurë të veçantë është
një fjali në gjuhën arabe: “Ne ishim si
ju...”. Pak më tutje, pjesë e një godinë
është bërë edhe një gurë varri, shënimi
i të cilit plotëson fjalinë e mbetur në
gjysëm... Mbi të lexohet qartas, në
gjuhën arabe: “Ai është I Gjalli që nuk
vdes. Ne ishim si ju dhe ju do të bëheni
si ne...”! Kjo është një e vërtetë e
madhe që njerëzimi ruan mbi ndërgjegjen
e vet që nga koha e Ademit (a.s). Të
gjithë, herët a vonë do të bëhemi si ata,
kujtimi i të cilëve ka ngelur në gur...
Kështu, hap pas hapi, teksa shkelim
tokën e Zogajve, aty-këtu, një gur varri,
një gjurmë shehidi, një plak i lashtë a
një nënë e moshuar, tashmë të tretur në
dhé, sikur na ftojnë në udhëzim, na
këshillojnë të mos i kthejmë shpinën
kësaj feje e këtij besimi, na nxisin ta
kemi frikë Zotin, të mos na pushtojë
bota zemrat, e... mbi të
gjitha, të mos harrojmë thirrjen e
gdhendur mbi gurë shumëshekullorë:
“Ne ishim si ju dhe ju do të
bëheni si ne”...
|
|
|
|
|