Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Ditën e shtunë, më 14 janar 2012, është zhvilluar konferenca e parë e imamëve të Shkodrës me temë: “Së bashku kundër thirrjeve të shejtanit”.

Konferenca ka nisur me këndimin e disa ajeteve kur’anore nga teologu Agim Hoxha, imam i xhamisë Boks. Më pas, në fjalën e rastit të mbajtur para imamëve, Myftiu Imam Muhamed Sytari ka folur mbi domosdoshmërinë e angazhimit të madh për t’i shërbyer mesazheve dhe mësimeve të fesë islame. Myftiu ka kërkuar nga imamët që të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm në punën e tyre. Ai ka kërkuar që thirrja islame që u paraqitet njerëzve , të serviret me urtësi, dashuri, tolerancë dhe durim.

Në fjalën e tij, Myftiu ka theksuar: “Duke analizuar vitet që lamë pas, realitetet shumëngjyrëshe që sot jetojmë dhe duke hedhur shikimin nga një e ardhme më me shumë dritë, ngrohtësi besimi dhe vlera shpirtërore, gjykova se është bërë domosdoshmëri që të punojmë dhe të sakrifikojmë shumë më shumë se më përpara në rrugën e kësaj feje dhe thirrjen e njerëzve drejt vlerave dhe dritës së saj.
           
“Së bashku kundër thirrjeve të shejtanit...”, është motoja e këtij viti në punën dhe angazhimet tona. Kjo do të thotë se nëpërmjet predikimeve, thirrjes, shkrimeve, studimeve dhe sakrificës në këtë mision që i kemi dalë për zot, do të përpiqemi të bashkëpunojmë për të zgjuar njerëzit, besimtarët, nga rreziku i një armiqësie shumë të vjetër, sa vetë vjetërsia e njeriut mbi tokë, por shumë aktive dhe tunduese në ditët e sotme! Do të punojmë për të zgjuar vëmendjen e besimtarëve dhe bijve të tyre ndaj armiqësisë së shejtanit!

“Dhe mos shkoni hapave të shejtanit se ai është armik i hapët i juaji!” - 2:168.
Dikush më tha se angazhimi më i madh sot duhet të jetë kundra ateizmit. I thashë, ateizmi është një ndër thirrjet më të sofistikuara të shejtanit për ta larguar njeriun nga Zoti. Të bashkohemi kundër shejtanit dhe thirrjeve të tij është origjina!

Në realitetin e shoqërisë islame shqiptare, nuk është e vështirë të dallohen sot gjurmët e prekjes shejtanore. Shirku në format më të çfrenuara, gënjeshtra, konsumimi, tregëtia dhe përhapja e alkoolit, prostitucioni me derivatet e veta, përhapja e drogave, vetëvrasjet e shumta, mosrespektimi ndaj prindërve, humbja e frikshme e kohës, shtimi i injorancës, korrupsioni gjithandej, reklamimi dhe nënshtrimi i verbër ndaj interesit bankar në jetën e përditshme të njerëzve, kamata si një kolerë, bixhozi, rushfetet si një zakon modern, zaptimi i pronës së tjetrit, epidemia e thashethemit dhe përgojimit, deri në zemër të xhamive tona, mashtrimet e shoqatave joislame ndaj fëmijëve dhe rinisë tonë për të ndërruar fenë, sidomos në zonat e varfëra dhe në shkollat e fshatrave, neglizhenca ndaj namazit, justifikimet jologjike për mosagjërimin e Ramazanit, mosdhënia e zekatit, fallet, lidhja e mërive etj. janë një realitet i dhimbshëm, që vërtetojnë se ky popull dhe kjo shoqëri rrugëton drejt greminave të ndëshkimit hyjnor!

A nuk mësuan shqiptarët për 23 vite, nga mjerimi komunist? A nuk u bindën se dekadat e para viteve ’90 ishin thjeshtë një etapë prej etapave të shumta, që shejtani i mallkuar dhe bijtë e tij planifikuan për ta zhveshur shqiptarin nga Islami dhe traditat e tij? Ja koha e lirisë së besimit, ku dallojnë njerëzit e sotëm në raport me ata të kohës së ateizmit, në mosbesim, largim nga feja dhe drejtimi nga drita e saj? Shumë pak prej tyre, në raport me tërësinë e shoqërisë, ka kurajon të dëshmojë sadopak besimin në shoqëri!

A nuk dëgjojmë sot, nëpërmjet megafonëve të bijve të shejtanit në këtë kohë, thirrje për t’u distancuar nga hixhabi, nga thirrja e ezanit si ndotje akustike, nga ndërtimi i xhamive, nga lëshimi i pak mjekre për të rinjtë që e frekuentojnë këtë traditë profetike, për përshëndetjen me selam (si: arabe), për dasmat pa alkool, e shumë e shumë thirrje të tjera shterpë, por që kanë ndikimin e tyre njësoj si në kohën kur thirrej me të madhe se feja është opium për popujt!”

Nëpërmjet fjalës së tij, Myftiu ka dhënë edhe disa statistika që tregojnë dëmet e mëdha të shkaktuara nga përdorimi i alkoolit, drogës, jetës plot dëfrime të çthurrura etj.

Më pas, kanë diskutuar edhe imamët: H. Fejzi Zaganjori, Kujtim Cufaj, Alban Kali, Abdullah Durraj, Agim Hoxha etj, që kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me angazhimin e imamëve në xhami, si dhe rritjen e nivelit të thirrjes së besimtarëve në Shkodër.

Në fund të konferencës, imamët kanë diskutuar dhe komunikuar edhe në koktejlin e shtruar për ta me këtë rast.

Jehona e Konferencës I të imamëve të Shkodrës është përcjellur edhe  në edicionet e lajmeve të televizioneve lokale të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.

Altin Nikshiqi
Imam, Mes-Myselim

 

Konferenca I e imamëve të Shkodrës: “Së bashku kundër thirrjeve të shejtanit” - 14 janar 2012

Konferenca I e imamëve të Shkodrës: “Së bashku kundër thirrjeve të shejtanit” - 14 janar 2012

Konferenca I e imamëve të Shkodrës: “Së bashku kundër thirrjeve të shejtanit” - 14 janar 2012

Konferenca I e imamëve të Shkodrës: “Së bashku kundër thirrjeve të shejtanit” - 14 janar 2012