Paraditën e së martës,
më 10 janar 2012, Myftiu i Shkodrës,
Imam Muhamed Sytari ka zhvilluar një
vizitë pune në zyrën e Kryetarit të
Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka.
Pasi i ka uruar mirëseardhjen
Myftiut, Kryetari i Bashkisë Shkodër ka
uruar që viti 2012 të jetë një vit i
mbarë për Shkodrën dhe institucionet e
saj, për komunitetin dhe projektet e
shumta që ai pret të realizohen.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, ka
falënderuar edhe rolin e madh të
komuniteteve fetare dhe Myftinisë
Shkodër në drejtim të kultivimit të
frymës së harmonisë, mirëkuptimit dhe
vlerave shpirtërore që ato përcjellin në
komunitet.
Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës,
pasi e ka falënderuar Kryetarin e
Bashkisë për mikpritjen, i ka uruar atij
një vit të mbarë në realizimin e
projekteve të shumta në rrugën e
rimëkëmbjes dhe gjallërimit të jetës në
Shkodër. Ai ka theksuar se pjesë e
këtyre projekteve gjallëruese të jetës
ekonomike, kulturore e fetare të qytetit
janë edhe disa nga projektet e Myftinisë
Shkodër, që kanë gjetur mbështetje dhe
bashkëpunim nga Bashkia Shkodër.
Më pas, biseda është përqendruar te
problematika e vakëfeve të Myftinisë
Shkodër dhe domosdoshmëria e
bashkëpunimit ndërinstitucional për
zgjidhjen e shumë prej ngërçeve që
pengojnë zhvillimin e pasurive të
Myftinisë Shkodër.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu
i ka dhuruar Kryetarit të Bashkisë
Shkodër, z. Lorenc Luka, kolanën me
veprën e plotë në gjuhën shqipe të
dijetarit të shquar islam me prejardhje
nga Shkodra, Imam Vehbi Ismaili. Gjatë
dhurimit, Myftiu ka theksuar se Shkodra
duhet të ndjehet krenare që nga gjiri i
saj kanë dalë dijetarë dhe shkollarë të
afirmuar në botë si Imam Vehbi Ismaili,
vepra e të cilit është botuar e plotë
dhe tashmë mund të shfletohet për të
marrë dritën e saj.
|
|
|
|