Paraditën e së
mërkures, më 28 dhjetor 2011, Myftinia
Shkodër ka organizuar një aktivitet
letraro-artistik me fëmijët e kopshteve
dhe kurseve të ndryshme fetare.
Aktiviteti ka pasur në qendër të tij
recitime të shumta, përrallën e
shoqëruar me shfaqje në videoprojektor
dhe pyetje-përgjigje të ndryshme rreth
botës së fëmijës dhe kurioziteteve që
ngacmojnë mendjen e tyre. Përgjigjet e
larmishme, ishin pa dyshim një pjesë e
spikatur, sidomos për shkakun se ato
shoqëroheshin me vargje të përzgjedhura
nga krijimtaria e shkrimtarit për fëmijë,
Xhahid Bushati.
Me shumë duartrokitje dhe buzëqeshje,
janë pritur recitimet dhe interpretimet
e bukura nga fëmijët, që i kanë dhënë
dritë dhe atmosferë besimi dhe dije
sallës së konferencave pranë Medresesë “Haxhi
Sheh Shamia”.
Edhe prindërit dhe gjyshërit e
pranishëm, janë kënaqur dhe emocionuar
duke parë interpretimet e fëmijëve të
tyre, recitimet plot talent dhe
dialogjet plot urtësi.
Në një moment të këtij aktiviteti,
ka përshëndetur edhe shkrimtari për
fëmijë, Xhahid Bushati, i cili pasi ka
falënderuar organizatorët për këtë
shfaqje plot vlera dhe dashuri, ka uruar
që drita e dijes dhe e besimit t’i
udhëheqë këta fëmijë në jetë. Ai ka
dhënë disa këshilla të vlefshme, që
fëmijët të jenë miq të librit, ta
lexojnë atë dhe të përfitojnë prej tij.
Në fund të aktivitetit, fëmijëve ju
është dhuruar libri për fëmijë “Katër
pyetje erës”, i shkrimtarit Xhahid
Bushati.
Myftinia Shkodër shpreh
falënderimet e saj dhe mirënjohjen e
thellë për punën plot përkushtim të
edukatores Valbona Molla (Halili), si
dhe për krejt fëmijët që morën pjesë në
këtë shfaqje me vlerë, me interpretimet
e bukura dhe plot emocion.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|