Paraditën e së
mërkures, më 21 dhjetor 2011, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka pritur
në një takim të përzemërt Atashehun për
Çështjet Fetare në Ambasadën e Turqisë
në Tiranë, z. Shaban Ishlek.
Në qendër të këtij takimi ka qenë
biseda rreth çështjes së ndërtimit të
xhamisë së re në fshatin Barbullush, me
fondet e Myftinisë së Iskenderunit.
Atashehu turk e ka vënë në dijeni
Myftiun se shumë shpejt do të nisin
procedurat për fillimin e fazës së parë
për ndërtimin e xhamisë së re në fshatin
Barbullush. Ai ka sqaruar se Myftinia e
Iskenderunit është angazhuar
maksimalisht për ta sponsorizuar këtë
xhami, në kuadër të binjakëzimit me
Myftininë e Shkodrës.
Nga ana e
tij, Myftiu Imam Muhamed Sytari, pasi e
ka falënderuar z. Shaban Ishlek për
interesimin e tij në lidhje me këtë
çështje, ka pohuar se gjatë vizitës së
përbashkët të bërë në Iskenderun, në
fillim të muajit dhjetor 2011, ka parë
nga afër interesimin e madh të Myftinisë
së Iskenderunit dhe të Myftiut H. Hamdi
Kavillioğlu për mbledhjen e fondeve të
mjaftueshme për ndërtimin e kësaj xhamie
të shumëpritur për besimtarët e fshatit
Barbullush dhe Myftininë Shkodër.
Më pas është folur edhe për rritjen
e bashkëpunimit të Myftinisë Shkodër me
myftini të tjera të vendit mik, në
kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera që
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka me
Dijanetin e Turqisë.
Myftiu ka
theksuar gjithashtu se në Shkodër janë
disa shoqata bamirëse turke, që
kontribuojnë në mënyrë të dukshme për
rritjen e imazhit të fesë islame dhe
afrimin e rinisë shkodrane drejt
mësimeve të kësaj feje.Ai ka pohuar se
ndjehet krenar që me kërkesën e
Myftinisë që ai drejton, i është
propozuar Këshillit të Bashkisë Shkodër
dhënia e titullit “Qytetar Nderi” i
Shkodrës, dijetarit të shquar turk Osman
Nuri Topbash, më 31 maj 2010.
|
|