Paraditën e së
shtunës, më 10 dhjetor 2011, Myftinia
Shkodër ka organizuar promovimin e
librit: “Themelet e një Medreseje” të
autorëve Eljaz Kraja dhe Ahmet Osja.
Në referatin e tij: “Vlera
dhe dëshmi nga një libër që nxit respekt”,
Myftiu Imam Muhamed Sytari ka theksuar
se: “Në rreshtat e tij lexohet pastër
një histori e thjeshtë, por shumë reale,
e përpjekjeve, peripecive, shpirtit të
sakrificës dhe vullnetit për të ngritur
në këmbë një institucion të vërtetë
arsimor të tipit medrese, në vite të
vështira e pa përkrahje. Aty, lexohet
qartas, mrekullia e Zotit në këtë vend e
në bijtë e tij, që edhe pse ia sollën
shpinën duke bërtitur me zë të lartë
kundër Tij, All-llahu bëri që nga mesi i
tyre të ringjallej shpresa e vijimit në
rrugën e baballarëve, brezave të nderuar
të këtij qyteti që jetuan, punuan dhe u
larguan nga kjo botë me besimin e
patundur në Njësinë e All-llahut! Aty,
qëndrojnë dukshëm përpjekjet dhe
ropatjet për të ndërtuar një shkollë
vlerash, me duar shqiptare, plot besim,
kulturë dhe dije! Ndoshta, sot më shumë
se kurrë, duhet të kthejmë kokën pas dhe
të kuptojmë se sekreti i mbarësisë dhe i
suksesit të kësaj shkolle, që vazhdoi të
shumëzohej vit pas viti, qëndronte në
thjeshtësinë dhe sinqeritetin e atyre
dhjetra burra e gra, që morën mbi supe
një mision sa të vështirë, aq edhe të
shenjtë: dritësimin e së ardhmes
shqiptare për bijtë e kësaj toke
besimtare dhe thellësisht islame!
Unë jam krenar të pohoj sot, se nga
brumi i medresesë së Shkodrës, morën
nxitjen për të ecur përpara në rrugën e
specializimit në shkencat teologjike,
shkencore e sociale me dhjetra djem e
vajza e shumë të tjerë që vazhdojnë të
gëzojnë edhe sot pozita drejtuese në
institucione të ndryshme të Shkodrës dhe
përtej saj.”
Ndërsa teologu Altin Loshi, në
referatin e tij: “Mbresa dhe
kujtime nga koha e medresesë”,
ka theksuar se: “Medreseja “Haxhi Sheh
Shamia” u bë dëshmitare e një vullneti
të patundur të dëshirës për të jetuar me
besim dhe përkushtim në jetë. Nëse
Medreseja Nizamije e Bagdadit i parapriu
krijimit të universiteteve më të mira të
Evropës, edhe medreseja e Shkodrës u bë
nxitëse që edhe në qytete të tjera të
Shqipërisë të hapen medrese të reja,
rreth së cilave u mblodhën nxënës me
dëshirën e madhe për të mësuar dije dhe
moral të pastër islam”.
Aktivitetin e ka përshëndetur
studiuesi Nexhmi Bushati, i cili ka
dhënë edhe disa vlerësime dhe kujtime
për mikun e tij, autorin e librit, z.
Eljaz Kraja, që nuk jeton më.
Me ftesë të z. Ahmet Osja, në këtë
aktivitet kishin ardhur edhe Myftiu i
Dibrës së Madhe, z. Ruzhdi Lata, Myftiu
i Tetovës, z. Alifekri Esati, miq të
autorëve
nga Tirana etj, të cilët kanë
përshëndetur aktivitetin duke uruar
suksese dhe mbarësi për daljen e librit
dhe vlerat që ai përcjell te lexuesit.
Ka përshëndetur edhe z. Omer Kajoshi
nga Mali i Zi, ish-nxënës i Medresesë “Haxhi
Sheh Shamia” dhe pjesë e gjeneratës së
parë të diplomuar prej saj, sot drejtor
i Medresesë së Tuzit.
Në fund, z. Ahmet Osja ka mbajtur
fjalën e rastit në emër të autorëve, ku
ka hedhur dritë mbi qëllimin e librit
dhe ka dhënë mendimet e tij për fillimin
e punës në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”.
Ndërkohë, Myftinia ka organizuar
edhe një koktejl për të ftuarit, sikurse
është bërë edhe shpërndarja e librit për
pjesëmarrësit në aktivitet.
|
|
|
|
|
|
|
|