Me ftesë të Myftiut
të Iskenderunit, H. Hamdi Kavillioğlu,
nga dita e mërkure, më 7 dhjetor 2011,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
zhvilluar një vizitë zyrtare tre ditore
në Turqi. Gjatë kësaj vizite, Myftiu
shoqërohej nga Atashehu për Çështjet
Fetare në Ambasadën Turke në Tiranë, z.
Shaban Ishlek.
Gjatë vizitës në Turqi, Myftiu i
Shkodrës është takuar fillimisht me
Myftiun e Zonës Hatay, H. Mustafa
Sinanoğlu, me të cilin ka zhvilluar një
bashkëbisedim të ngrohtë dhe ka
diskutuar mbi rrugët e bashkëpunimit
dypalësh. Nga ana e tij, Myftiu i Hatay-it,
e ka falënderuar Myftiun e Shkodrës për
vizitën, duke theksuar se ka ardhur koha,
kur më shumë se kurrë duhet që
institucionet islame në botë të
bashkëpunojnë dhe të rrisin nivelin e
komunikimit të ndërsjelltë për të mirën
e tyre dhe të fesë islame.
Gjatë qëndrimit në Hatay (Antakia),
Myftiu ka vizituar edhe xhaminë
historike “Habib-i Neccar”, ku janë
varrosur tre nga sahabët e hz. Isait
(a.s), të cilët erdhën në këtë zonë për
të përhapur mesazhin e pastër të
Njësimit të All-llahut dhe dërgesën
profetike të hz. Isait (a.s). I
shoqëruar edhe nga Myftiu i Iskenderunit,
Myftiu ka vizituar varret e tre
apostujve të nderuar, si dhe ka dëgjuar
me vëmendje shpjegimin e historisë së
tyre.
Ndërkohë, ditën e enjte, më 8
dhjetor 2011, Myftiu ka marrë pjesë në
sofrën e mëngjesit, që është shtruar për
nder të tij nga Myftiu i Iskenderunit,
në shtëpinë e tij. Aty ishin ftuar edhe
myftilerë dhe drejtues të lartë fetarë
të zonës.
Më pas vizita ka vijuar në zyrën e
Myftiut H. Hamdi Kavillioğlu, ku është
diskutuar rreth bashkëpunimit të dy
myftinive të binjakëzuara. Me këtë rast,
Myftinia e Iskenderunit ka marrë
përsipër të ndërtojë një xhami të madhe
në zonën e Shkodrës, lajm i cili është
pritur me shumë gëzim nga Myftiu i
Shkodrës.
Kënaqësinë e kësaj vizite dhe vlerën
e bashkëpunimit në mes të muslimanëve,
Myftiu i Shkodrës e ka shprehur qartas
edhe në bashkëbisedimin e zhvilluar nga
televizioni lokal i Iskenderunit “Güney
Tv”, ku merrnin pjesë edhe Myftiu i
Iskenderunit dhe Atashehu Shaban Ishlek.
Gjatë intervistës, Myftiu i Shkodrës ka
theksuar se shqiptarët janë përballur me
një diktaturë të egër komuniste, që
shkatërroi xhamitë, persekutoi dhe
burgosi hoxhallarët, dogji dhe
sekuestroi bibliotekat e tyre, por që
nuk arriti ta zbrazë shpirtin e
shqiptarëve nga besimi në All-llahun dhe
në të dërguarin e Tij, hz. Muhammedin
(a.s). Ai ka falënderuar njëkohësisht
përkrahjen e madhe që ka dhënë Dijaneti
i Turqisë dhe vakëfet e ndryshme të
këtij vendi mik, në rimëkëmbjen e fesë
islame dhe aktivitetin e saj në Shqipëri
në 20 vitet e fundit.
Gjatë qëndrimit në Iskenderun,
Myftiut Imam Muhamed Sytari i është
rezervuar një takim edhe nga nën/prefektit
Iskenderunit, z. Ali Ihsan Su, me të
cilin ka zhvilluar një bashkëbisedim
shumë të ngrohtë e dashamirë.
Po këtë ditë, Myftiu i Shkodrës ka
mbajtur një fjalë emocionuese, në sallën
e madhe të Universitetit “Mustafa Kemal”,
ku ishin grumbulluar qindra besimtarë,
për të marrë pjesë në një aktivitet të
Myftinisë së Iskenderunit, me rastin e
diplomimit të tetë hafizeve të reja të
Kur’anit në këtë zonë. Në fjalën e tij,
Myftiu ka theksuar se e përbashkëta e dy
popujve tanë është fakti i të qenurit
muslimanë dhe bashkëpunimi i sinqertë e
vëllazëror ndër shekuj. Imam Muhamed
Sytari ka vlerësuar se: “Kur Turqia
është mirë, i gjithë ymeti islam është
mirë!” Gjatë fjalës së tij, Myftiu është
ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e
shumta të pranishëmve në sallë.
Myftiu i Shkodrës ka drejtuar edhe
namazin e akshamit në një nga xhamitë
kryesore të Iskenderunit, ku ka marrë
edhe urimet dhe përshëndetjet e
përzemërta të besimtarëve dhe drejtuesve
fetarë të qytetit bregdetar turk.
Vizita e Myftiut ka vijuar me takime
të tjera me drejtues fetarë, myftilerë
dhe imamë të zonës së Hatay-it, me të
cilët ka këmbyer mendime dhe ide të
shumta, si dhe ka prezantuar një pjesë
të aktivitetit fetar, kulturor dhe human
të Myftinisë Shkodër.
Ndërkohë, ditën e xhuma, më 9
dhjetor 2011, Myftiu Imam Muhamed Sytari
ka përfunduar vizitën e tij në Turqi. Në
aeroportin e Adanasë, ai është
përcjellur nga Myftiu i Iskenderunit, të
cilin e ka ftuar për vizitë në Shkodër
me rastin e gurthemelit të xhamisë së
re.
Pas kthimit në Shkodër, Myftiu
Imam Muhamed Sytari ka dhënë përshtypjet
e para të kësaj vizite, të cilën e ka
konsideruar shumë të vlefshme dhe të
rëndësishme për Myftininë e Shkodrës dhe
aktivitetin e saj.
|
|
|
|
|
|
|
|