Një ekspozitë
fotografike u çel ditën e enjte, më 8
dhjetor 2011 me rastin e 20 vjetorit të
Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, në
qytetin e Shkodrës.
Ekspozita që
u hap në ambientet e bibliotekës së
qytetit, “Marin Barleti”, kishte për
qëllim të shfaqte për vizitorët momente
të spikatura nga aktiviteti 20 vjeçar i
kësaj shkolle elitare në qytetin e
Shkodrës. Aty, ishin vendosur stenda me
fotografi të ndryshme që prezantojnë
aktivitete, veprimtari, drejtues të
shkollës, mësues e nxënës, në momentet
më të bukura të jetës së kësaj medreseje.
Aktiviteti është përshëndetur nga
drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi,
i cili ka vlerësuar punën dhe sakrificën
e të gjithë drejtuesve dhe mësuesve që
kontribuan për këtë shkollë deri në këtë
ditë.
Në emër të Myftinisë
Shkodër ka përshëndetur përgjegjës i
sektorit të arsimit, teologu Arben
Halluni, i cili ka vlerësuar se
Medreseja është një vatër e shëndoshë e
edukimit dhe e brumosjes së brezave me
dije, edukatë fetare dhe kulturë besimi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur
për vizitorët deri në fund të kësaj jave,
ndërkohë që aktivitetet kushtuar 20
vjetorit të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”,
do të vijojnë edhe me mbrëmjen jubilare
që do të zhvillohet të hënën më 12
dhjetor 2011 në teatrin “Migjeni” të
Shkodrës.
Njëkohësisht, ditën e
shtunë, më 10 dhjetor 2011, Myftinia
Shkodër organizon promovimin e një libri
kushtuar themelimit të Medresesë “Haxhi
Sheh Shamia”.
|