Paraditën e së
mërkurës, më 23 nëntor 2011, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka pritur
në një vizitë pune, drejtorin për
Ballkanin e Vakëfit Islam Turk, z. Faruk
Gaye, shoqëruar nga imami i Qendres
Islame të Bushatit, Hafiz Shukri Kapllan.
Pasi i ka uruar mirëseardhjen në
Shkodër, Myftiu e ka informuar drejtorin
Gaye për aktivitetin e deritanishëm të
Myftinisë Shkodër, si në aspektin
kulturor, fetar e human. Ai e ka njohur
mikun nga Turqia se Myftinia Shkodër po
punon dita-ditës për të konsoliduar
pozitën e saj si një institucion me
rëndësi të veçantë në Shkodër.
Myftiu ka theksuar gjithashtu se të
gjitha shoqatat dhe fondacionet bamirëse
që vijnë në Shkodër, janë të mirëpritur
për ta ushtruar aktivitetin e tyre në
bashkëpunim me Myftininë dhe në
bashkërendim me projektet e saj dhe
misionin e madh në shërbim të fesë
islame. Ai ka përmendur se megjithëse ka
raste kur shoqata të caktuara mund të
devijojnë nga ky parim, detyra e jonë
është të ruajmë frymën e harmonisë dhe
të bashkëpunimit në shërbim të
interesave të larta.
Myftiu ka
falënderuar rolin që Vakëfi Islam
Shqiptaro-Turk, po jep në Shkodër,
nëpërmjet aktivitetit të tij të
larmishëm, sidomos në edukimin e brezit
të ri me dashurinë për Kur’anin dhe
dijen në përgjithësi.
Nga ana e tij, drejtori për
Ballkanin i Vakëfit Islam Turk, z. Faruk
Gaye, ka shprehur kënaqësinë e kësaj
vizite dhe ka uruar suksese dhe mbarësi
për Myftininë Shkodër. Ai ka theksuar se
bashkëpunimi në mes të dy institucioneve
do të vazhdojë, me qëllim që kontributi
që ky Vakëf Islam jep në mbi 140 shtete
të botës të jetë përherë e më evident në
Shkodër.
Më pas biseda vëllazërore ka
vijuar duke u përqendruar në aktivitetet
dhe projektet e Myftinisë Shkodër dhe
domosdoshmërinë e rritjes së
bashkëpunimit dypalësh.
|
|
|