Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
 

 Kur kthen kokën pas dhe mendon, të duket e pabesueshme, por faktet mbeten kokëforta... Shqiptarët u dënuan të ishin vendi i vetëm ateist në botë për 23 vite, duke lënguar një shkatërrim kanceroz të ndërgjegjes fetare, të kulturës së besimit dhe të shpirtit të bardhë e bujar prej muslimani... Ishte pa dyshim një proces i gjatë në disa etapa (të ndryshme në ngjyrë, formë e dimension), i nisur tinëz e plot dinakëri, si ai i shekujve të përballjes së dritës me errësirën në këtë kontinent, në rrugën e një hakmarrjeje të frikshme ndaj një vërshimi të sinqertë e të vullnetshëm të zemrës, mendjes dhe shpirtit shqiptar drejt dritës së vërtetësive hyjnore...
           
Historia e përplasjes së besimit me femohimin a shirkun në botë është e kahershme dhe plot hije, sidomos kur kjo përplasje e nisur që me njeriun e parë fshihet, maskohet a edhe zëvendësohet me terma të tjerë që kanë për qëllim të largojnë vëmendjen njerëzore nga thelbi i një historie të pabesë...
           
21 vite më parë, e xhumaja e 16 nëntorit i gjeti shqiptarët muslimanë sërish me fytyrë nga kibla e besimit, ndonëse dënimi inkuizitor kishte qenë i pamëshirshëm. Ishin aty, në sheshin e madh të xhamisë së moçme të Shkodrës së dijes dhe të dijetarëve muslimanë, që lëngonte vitet e acarta të mohimit të dhunshëm ndaj Zotit, vitet e përpjekjes për ndryshimin e identitetit shpirtëror e devijimit gjenetik...
           
21 vite më parë, e xhumaja e 16 nëntorit do të shënonte ditën, kur të shumtë do të ishin ata që do të dëshmoheshin si marshues drejt një rehabilitimi shpirtëror, për t’u kthyer në dëshmitarë të një shkallmimi me forcën e ndërgjegjes, të mureve që pengojnë lirinë e shpirtit. Në atë mes kishte prej atyre që deri dje shanin me Zot, sot po përpiqeshin të thoshin: “estakfirullah”, jo me “g”. Edhe prej atyre që deri dje kishin qenë të hutuar e thirrës drejt ateizmit e filozofisë më idiote që ka prodhuar mendja e sëmurë e njeriut, sot po tentonin të bëheshin më të mirë, duke bërë tobe me tesbih të pluhurosur në dorë. Edhe nga ata që deri dje kishin mbushur barqet me ujitës së një dehjeje denigruese, sot të buzëqeshur ngrinin dolli për demokracinë dhe fenë e “të madhit Zot” me ujë, në një gotë të palarë. Dhe... ata e ato, të gjithë sëbashku, realisht nuk e dinin se ku shkonin, përveç se drejt një vendi të shenjtë ku madhnohet Një Zot, ashtu siç bënin gjyshërit a baballarët...

Ishte kohë pendimi e moment kthimi. Ishte kohë turmash. Sa i sinqertë ishte pendimi e kthimi i tyre, e dëshmojnë këto ditë, 21 vite pas asaj dite të bujshme e plot zhurmë lirie e forcë besimi... Ndonëse, ka akoma që vazhdojnë të shajnë me Zot, që e kanë sofistikuar mënyrën e thirrjes drejt ateizmit dhe filozofive idiote të mendjeve të sëmura, që kanë ndryshuar mjetet e ujitjes së dehjes ushqyese për venat e qenies së tyre...
           
Para një viti, teksa me propozimin tonë, Këshilli Bashkiak i Shkodrës shpërndante tituj nderi për disa personalitete islame të këtyre njëzet viteve në Shkodër, një dëshmitar i munguar i 16 nëntorit 1990, më virri në fytyrë... Dikush tjetër shkapeti këmbët nga dhembja e mosmarrjes së një titulli nderi... Dikush tjetër...
           
Ajo që dua të përcjellë nga këto fjalë nuk është skanimi i aktorëve, absolutisht jo! Por dua të bërtas me të madhe, si Ibni Arabiu se: “Zoti juaj është nën këmbët e mia!”, duke mos pasur frikë nga askush, sidomos nga aktorët dështakë... Dua të ftoj me të madhe drejt këtij shpirti:
 
Sa herё jam munduar
            me duar tё reja tё punoj
me shkopinj a çomangё,
            pas shpine jam goditur…
Me njёrin treguesit,
            e çomangёn nё kokё…
Kёshtu e kanё hijenat
            pas shpine sulmojnё..!
Nga shpirti, treguesi mori jetё
            sёrish lapsin takoi…
Dritat e dashurisё sё bardhё,
            me dashuri tё bardhё dritash,
dashuri i dhanё jetёs,
            nga plagё hijesh sakate...
“Asgjё me emrin e Tij,
            s’mund tё mё godasё!”-
i dashuruar thoshte
            shёrbёtori i nurit...
Sa herё jam munduar
            me duar tё reja tё punoj,
dritё shprese kam parё Imam,
            me fytyrё nga kibla e dritёs...
           
Ajo që ka ngjarë me shoqërinë tonë është një fatkeqësi e dhimbshme, jo më pak se ajo e shoqërive islame në Andalusi, Napoli, Siçili e gjetkë, shekuj më parë, tamam kur ato ishin kryeqendra të qytetërimit islam në Evropën e kallur në injorancë, herezi e tymnajë mashtrimesh në emër të Zotit...
           
21 vite më parë, askush nuk dinte të thoshte me siguri se, a do të kishte një rimëkëmbje të vërtetë fetare, duke ditur se teknikët e saj ishin sosur (a gati), ndërkohë shegertë të llastuar po imponoheshin për të qenë ustallarë!? Askush nuk e dinte me siguri se, ditët që do të vinin do të dëshmonin spikatjen e aleancave të vjetra, përzier me shpirtin e sistemeve të klonuara nga e shkuara e hirtë e inkuizicioneve ndaj dritës dhe dijes së vërtetë e vërtetësive të besimit...
           
21 vite nga ajo e xhuma e 16 nëntorit duhet të jetë një tjetër pamje. Duhet të shikojmë përpara dhe me kurajon e besimit, forcën e  argumentit dhe dritën e dijes, të flakim tutje tabutë e shegertëve të llastuar e të kohërave me mjegull e vaj servilizmi, që lyen një makineri të ndryshkur nga gjurmët e kamzhikëve të një kohe vrastare e njerëzve të saj! Duhet të dëshmojmë se ky qytet e kjo shoqëri nuk mund të anashkalojë forcën e besimit të një shpirti të madh islam, që para 21 vitesh, pikërisht me 16 nëntor 1990 buçiste me të madhe: “nuk kisha gajle edhe sikur të bija edhe kurban”!
           
21 vite nga ajo e xhuma e 16 nëntorit është një tjetër pamje. Ndonëse Hafiz Sabri Koçi është harruar (i propozova Këshillit Bashkiak që emrin e tij ta ketë rruga kryesore në Rusin Musliman), dëshira dhe vullneti për të mos e braktisur simbolikën e një profili popullor dhe energjik si i tiji, duhet të jetë më i madh se asnjëherë...
           
21 vite nga ajo e xhuma e 16 nëntorit, është koha të kthehet faqja, të mbyllet gryka e tranzicionit, para se shpirti i tij të na kthejë në robotë tranzicioni! Është koha që tabutë të ngelen në faqen e viteve që duhen lënë pas, për t’u kaluar një prag e për të shikuar drejt së nesërmes me forcën e dijes, jo me emocionet e tabuve... gjithmonë të prirë nga mesazhi i një njeriu-simbol që para 21 vitesh, thoshte: “nuk kisha gajle edhe sikur të bija edhe kurban”!
           

Shkodër, nëntor, 2011

 

 

Xhamia e Plumbit - Shkodër