Ditën e mërkure, më
16 nëntor 2011, kanë mbërritur në
Shkodër haxhilerët e këtij viti, që për
21 ditë kanë kryer në Meke dhe Medine
ritualet e haxhit, një ndër pesë
shtyllat e fesë islame.
Në pritje të haxhilerëve, në
aeroportin e Rinasit, ka dalë Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari, i cili
pasi është takuar me vizitorët e
Shtëpisë së Shenjtë dhe është interesuar
për shëndetin dhe haxhin e tyre, i ka
shoqëruar ata drejt Shkodrës.
Te xhamia e Parrucës, imamë,
besimtarë dhe familjarë të shumtë kanë
dalë për të pritur të dashurit e tyre.
Me shumë emocion është përjetuar momenti
i mbërritjes së autobuzit që i
shoqëronte haxhilerët e dashur. Të
rrethuar nga tekbiret e minareve të
xhamisë Parrucë, ata kanë zbritur njëri
pas tjetrit, duke u përqafuar me
familjarët dhe imamët e xhamive.
Haxhilerët kanë dhënë edhe
intervista të shumta për mediat e
pranishme, që janë interesuar të marrin
përshtypjet dhe emocionet e tyre të para
pas mbërritjes në vendlindje. Edhe
Myftiu i Shkodrës, ka deklaruar se: “Mbërritja
e haxhilerëve të dashur në një ditë si
kjo, në të cilën përkujtojmë 21 vjetorin
e rihapjes së xhamisë së Plumbit, është
një moment reflektimi për të kuptuar
nevojën e madhe që ka njeriu për Zotin,
në jetën e tij të përditshme”.
Ndërkohë, me hyrjen e kohës së
mesditës, haxhilerët janë falur sëbashku
me Myftiun dhe imamët e pranishëm, duke
ndarë kënaqësinë e namazit të parë pas
kthimit nga vendet e shenjta.
Në përfundim të namazit të
mesditës, Myftiu ka uruar edhe një herë
kthimin shëndosh e mirë të haxhilerëve
të këtij viti dhe është lutur që All-llahu
t’ia ketë pranuar sakrificën dhe mundin
e tyre në adhurimet e këtij rituali të
shenjtë.
Il. Dizdari
|
|
|
|
|
|