Që në orët e para të mëngjesit të
ditës së dielë, më 6 nëntor 2011, besimtarë të
shumtë muslimanë janë tubuar në sheshin bri xhamisë
“Ebu Bekër”, për të kryer së bashku ritualet e
Kurban Bajramit.
Pas namazit të sabauht të drejtuar nga teologu Arben
Halluni, në tribunë kanë dalë njëri pas tjetrit
imamët e nderuar të xhamive: “Ebu Bekër”, Kiras,
Perash dhe Parrucë, teologët: Idmir Plaku, Ylli
Buraniqi, Adem Pizga dhe Naim Drijaj.
Në fjalët e tyre, ata kanë shpjeguar vlerat dhe
mesazhet që përcjell dita e madhnueshme e Kurban
Bajramit. Ata nuk kanë lënë pa përmendur edhe faktin
se kjo ditë është një simbol i unitetit dhe i
vëllazërisë së muslimanëve në mes vetes.
Në orën 7.00, bësimtarët janë bërë gati për të falur
namazin e Kurban Bajramit nën drejtimin e Myftiut të
Shkodrës Imam Muhamed Sytari. Pas përfundimit të
namazit të Bajramit, i shoqëruar nga tekbiret,
Myftiu është ngjitur në minber, prej ku ka mbajtur
edhe hytben e kësaj dite dhe urimet për mbarë
besimtarët e pranishëm dhe të mbarë Shkodrës.
Në fjalën e tij, Myftiu ka bërë thirrje për të
ndjekur frymën dhe shpirtin e kësaj dite të madhe,
që rrezaton harmoni, vëllazëri dhe bashkëpunim të
mëtejshëm në mesin e muslimanëve. Ai ka përmendur
edhe faktin se prej mirësive të All-llahut ndaj
këtij popull është edhe vizita e përvitshme që
muslimanët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë i
bëjnë Qabes së Madhnueshme, duke dëshmuar besimin
dhe përuljen e tyre ndaj All-llahut dhe thirrjes së
Tij.
Myftiu është lutur që ditë më të mira dhe përparime
të përhershme të ketë Shkodra, Shqipëria dhe mbarë
ymeti islam.
Në përfundim të ceremonisë së faljës së Kurban
Bajramit, besimtarët kanë këmbyer urimet dhe
përshëndetjet e Kurban Bajramit me njëri-tjetrin, me
emocionet e kësaj feste të gëzueshme.
Falja e Bajrameve në sheshin bri xhamisë “Ebu Bekër”,
është kthyer tashmë në një traditë të bukur fetare,
që spikat vit pas viti madhështinë e harmonisë së
muslimanëve të Shkodrës, si një familje e begatë
besimi!
V.Mehmeti
|
|
|
|