Paraditën e së enjtes, më 27
tetor 2011, besimtarë të shumtë dhe qytetarë të
Shkodrës, kanë marrë pjesë në përcjelljen e
haxhilerëve shkodranë drejt vendeve të shenjta,
Mekke e Medine.
Në shoqërinë e tekbireve dhe telbijes, nga minaret e
xhamisë Parrucë, të afërm dhe besimtarë muslimanë
kanë uruar me zemër nisjen e haxhilerëve të rinj të
këtij vendi drejt Qabes së madhnueshme.
Të pranishëm në këtë ceremoni të nisjes së
haxhilerëve ka qenë Myftiu Imam Muhamed Sytari,
Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid
Cungu, imamët e xhamive të qytetit dhe familjarë të
shumtë.
Në një mesazh urimi për mediat e pranishme, Myftiu
ka theksuar se këta haxhilerë janë një kredo besimi,
begatie dhe mirëqenie për Shkodrën dhe për mbarë
Shqipërinë. Ai ka uruar rrugë të mbarë dhe haxh të
pranuar për besimtarët që vendosën të jenë
pjesëmarrës në haxhin e këtij viti.
Edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z.
Maxhid Cungu ka uruar që udhëtimi i haxhilerëve të
këtij viti të jetë sa më i mbarë dhe i suksesshëm.
Ai ka theksuar se kjo është një ditë e veçantë për
besimtarët, si dhe simbol i dashurisë për besimin
dhe traditat e vyera të tij.
Më pas, haxhilerët janë përshëndetur me të
pranishmit dhe janë nisur drejt Rinasit, ku sëbashku
me qindra besimtarë nga mbarë Shqipëria do të nisen
drejt Xhedas e më pas drejt Mekkes për kryerjen e
ritualeve të haxhit.
Në këtë udhëtim, haxhilerët janë shoq��ruar edhe nga
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari dhe imamë të
qytetit.
Në aeroportin e Rinasit, haxhilerët janë
përshëndetur edhe nga Kryetari i Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça dhe nga
Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të K.M.Sh, z.
Ylli Gurra, i cili ka bërë edhe lutjen e rastit.
Grupi i haxhilerëve të këtij viti nga Shqipëria, do
të drejtohet nga nën/kryetari i K.M.Sh, z. Bujar
Spahiu.
Ndërkohë, sipas kontakteve të para të Myftinisë
Shkodër, pas një udhëtimi të rehatshëm, haxhilerët
shqiptarë kanë mbërritur shëndosh e mirë në vendet e
shenjta, të veshur me rrobat e ihramit, në pritje
për të shkelur për herë të parë në jetë, në tokën e
Qabes së Madhnueshme.
I.Dizdari
|
|
|
|
|
|
|