Pasditën e së hënës, më 24 tetor
2011, Myftinia Shkodër ka organizuar një ceremoni
për nder të haxhilerëve nga qyteti i Shkodrës, të
cilët do të udhëtojnë pas pak ditësh drejt vendeve
të shenjta, në Arabinë Saudite, për kryerjen e
haxhit të këtij viti.
Ceremonia që është zhvilluar në xhaminë e Parrucës,
ka nisur me namazin e iqindisë, që është drejtuar
nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari.
Në përfundim të tij dhe pas rreshtimit të
hoxhallarëve të shumtë dhe besimtarëve të pranishëm,
fjalën hapëse e ka marrë imami i xhamisë Parrucë,
teologu Naim Drijaj. Pasi ka uruar haxhilerët e
këtij viti për këtë vizitë të begatë drejt Mekes dhe
Medines, ai i ka dhënë fjalën Myftiut për të dhënë
këshillat e tij dhe për të bërë duanë e rastit.
Në fjalën e tij, Myftiu ka dhënë disa orientime dhe
porosi për haxhilerët, sikurse është lutur për ta
dhe lehtësimin e udhëtimit të tyre drejt vendeve të
shenjta.
Myftiu ka kërkuar nga haxhilerët që të përfitojnë
nga çdo moment i kësaj vizite të mrekullueshme, për
të arritur kënaqësinë e All-llahut të Madhëruar dhe
mëshirën e Tij të pakufijshme. Ai ka kërkuar nga
haxhilerët që të luten edhe për besimtarët në
Shkodër, në Shqipëri, që All-llahu ta pastrojë këtë
vend nga gjynahet e shumta, nga haramet e panumërta,
nga korrupsioni, nga zullumet dhe imoraliteti.
Ai ka kërkuar nga që haxhilerët shkodranë që t’i
japin selam Resulull-llahit (a.s) edhe për
muslimanët e Shkodrës dhe t’i thonë Zotërisë së tij,
se shqiptarët nuk e ndërrojnë fenë e tyre, nuk e
prishin besën e Teuhidit!
Më pas, ka përshëndetur edhe Atashehu për Çështjet
Fetare në Ambasadën Turke në Tiranë, z. Shaban
Ishlek. Ai ka përshëndetur haxhilerët e Shkodrës dhe
ka uruar që udhëtimi i tyre të jetë sa më i lehtë
dhe të fitojnë mëshirën dhe mirësitë e All-llahut.
Një moment shumë emocionues ka qenë, kur haxhilerëve
të rinj u janë shpërndarë pasaportat me vizën
saudite dhe rrobat e ihramit nga Myftiu dhe imamët e
pranishëm në këtë ceremoni.
Në përfundim të saj, besimtarët e shumtë janë
rreshtuar me nderim dhe respekt për t’u përshëndetur
me haxhilerët e rinj dhe për të kërkuar prej tyre
duanë e haxhit dhe lutjet e mbarësisë.
Myftinia Shkodër lutet që All-llahu i Madhëruar
t’ua lehtësojë haxhin besimtarëve
që do të marrin pjesë këtë vit
në vizitën e vendeve të shenjta në
sezonin e haxhit.
All-llahu jua bëftë kabulldhe qofshi në mëshirën dhe
begatimet hyjnore të Zotit të gjithësisë!
|
|
|
|