Ditën e xhuma, më 21 tetor 2011,
nëpërmjet minberit të xhamisë së fshatit Milan,
Myftiu ka bërë thirrje që muslimanët të jenë më
seriozë në marrëdhënien e tyre me Kur’anin. Ai ka
kërkuar që Kur’ani të lexohet më shumë në shtëpitë e
muslimanëve. Ndër të tjera, Myftiu ka theksuar se
leximi i vazhdueshëm i Kur’anit i bën njerëzit të
denjë për t’u konsideruar si “familja e All-llahut
dhe të dashurit e Tij”.
“Njerëzit e kësaj kohe ankohen se u ka ikur
bereqeti nga shtëpia, se kanë grindje e divergjenca
të shumta, se kanë të bëra e kanë të shkelura, se
fëmijët nuk respektojnë më prindërit. Arsyeja është
e thjeshtë: Në shtëpitë e tyre nuk lexohet Kur’an!
Shtëpitë tona po kthehen në varreza, vende pa jetë!
Prandaj, kemi nevojë që ta lexojmë Kur’anin ditë për
ditë, jo vetëm në Ramazan! Duke iu referuar teksteve
të shenjta islame, do të shohim se nxitja për
leximin e Kur’anit, për mësimin e tij dhe të
punuarit sipas kërkesave të tij, është shumë e madhe.
Nuk mund të jetë muslimani musliman, nëse nuk e ka
lexuar njëherë Kur’anin, nëse nuk e di se çfarë
kërkon Zoti i tij prej tij?! Nuk mund të jetë
muslimani musliman, nëse nuk ka një besë të sinqertë
me Zotin e tij, për ta lexuar me vëmendje e
përkushtim Librin e Tij. Asnjë Libër që prezantohet
si i shenjtë, është vërtetë i tillë, përveç Kur’anit!
E ka vërtetuar shkenca, historia, argumentet,
logjika. Por, realitetet e hirta që jetojmë sot edhe
në vendin tonë, dëshmojnë një braktisje të Kur’anit
dhe një tendencë xhahile për të na dëshmuar edhe
para botës ashtu çfarë nuk jemi e që kurrë nuk mund
të jemi!”- ka thënë ndër të tjera Myftiu.
Njëkohësisht, ai ka ftuar besimtarët që të marrin
pjesë ditën e hënë, më 24 tetor 2011, në ceremoninë
e përcjelljes së haxhilerëve, që do të zhvillohet në
xhaminë e Parrucës, pas namazit të iqindisë.
Pas përfundimit të namazit të xhumasë, Myftiu ka
inspektuar edhe punimet për ndërtimin e anekseve të
reja në shërbim të besimtarëve të kësaj xhamie. Ai
ka uruar që kjo xhami të kryejë rolin e duhur në
edukimin e besimtarëve të kësaj zone me frymën e
teuhidit, besimit në Një Zot të vetëm dhe nxitjen
për të qenë përherë muslimanë të përkushtuar dhe të
vendosur në besim.
|
|
|
|