Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Të dashur vëllezër dhe motra, miq të All-llahut...
Edhe pak ditë dhe ju do të udhëtoni drejt vendeve të
shenjta, Mekkës dhe Medines, në udhëtimin tuaj më të
mrekullueshëm e më të shtrenjtë, udhëtimin e jetës.
Edhe pak ditë dhe ju do t’i përgjigjeni thirrjes
hyjnore për të plotësuar një të pestën e fesë suaj,
duke bërë haxhin, me vullnet të plotë, me dashuri të
madhe, me zemër të përmalluar...
Edhe pak ditë dhe ju do të jeni “Miqtë e Mëshiruesit
të gjithësisë”...
Të dashur vëllezër dhe motra, vizitorë të vendeve të
shenjta,
Kur të keni mbërritur në tokën, ku nisi të zbriste
Kur’ani, uluni dhe putheni atë tokë të bekuar; e ka
shkelur Resulull-llahi (a.s), sahabët, njerëzit më
të mirë të kësaj bote! Putheni atë tokë, të cilën po
e shkelni edhe ju me ftesën dhe thirrjen e Zotit të
gjithësisë! Putheni atë tokë të shtrenjtë të besimit...
Do të dilni para Qabes së Madhnueshme... Ah,
fatlumët ju! Ashtu, me sytë që ju mbushen vetëvetiu
me lotë gëzimi, lutuni për vete, për familjet tuaja,
për bashkësinë tonë islame, për Shkodrën, për
Shqipërinë, lutuni... Lutuni, se ai është momenti më
sublim i krejt jetës suaj, në atë vizitë të Shtëpisë,
vendit të bekimeve dhe prehjes hyjnore... Lutuni...
dhe mos i shqitni sytë nga Shtëpia e Bekuar...
Aty, në atë vend të mbarë, do të shihni gjurmët e
Hz. Ibrahimit (a.s). Jepini selam dhe thoni babait
të profetëve të All-llahut, se muslimanët e Shkodrës
i bëjnë selam dhe me respektin më të madh e kujtojnë
historinë e përkushtimit dhe dashurisë së tij për
Zotin dhe rrugën e Tij!
Kur të bëni sa’jin, kujtojeni atë nënë të devotshme,
që kërkonte pak ujë për djalin e saj, në atë sahra
të thatë e të pabanuar. Teksa ecni në gjurmët e saj,
lutuni edhe ju për fëmijët tuaj, për fëmijët e
muslimanëve të Shkodrës, të Shqipërisë, lutuni dhe
kërkoni, si nëna ujin e shpëtimit, çdo të mirë për
fëmijët tuaj! Kërkoni nga All-llahu, si nëna Haxhere
që kërkonte pak ujë jete, dritën e udhëzimit dhe të
dijes për fëmijët tanë. Kërkoni All-llahut t’i ruajë
fëmijët tanë nga devijimi në besim dhe dinjitet.
Kërkoni Zotit t’i ruajë ata nga dija devijuese dhe
tendenca për t’i zhveshur nga besimi dhe identiteti
i tyre nëpërmjet dijes! Lutuni me zemrën tuaj për
fëmijët e këtij vendi, se ata vërtetë kanë shumë
nevojë për lutjen tuaj, si Ismaili i vogël për pak
ujë zemzemi..!
Shkoni te Zemzemi dhe pini prej tij. Shuajeni etjen
me ujin e bekuar, që shëron plagët e hijes së
gjynahit dhe zbardh fytyrën e drejtuar nga Drita e
Zotit. Pini, të lumtë ju, pini nga burimi i ujit të
mrekullive hyjnore..!
Mos harroni, të dashur haxhilerë, aty në tavafin e
përkushtimit, me lutjen e “telbijes” në gojë, të
dëshmoni Njësinë Absolute të All-llahut Një, Zotit
të botërave! Aty në tavaf, lutuni që All-llahu t’ju
forcojë zemrat në besim! Lutuni që t’ju dhurohet
qëndrueshmëria e përhershme dhe udhëzimi pa devijim,
në besimin e pastër dhe lutjen e sinqertë drejtuar
Një Zoti të Vetëm të kësaj gjithësie! Aty, në
tavafin e miliona muslimanëve nga mbarë bota, prekni
shpirtin e vëllazërisë së vërtetë islame dhe sillni
me vete pak shpirt harmonie islame të vërtetë, edhe
në Shkodër, në Shqipëri!
Do të shkoni në Mina, do të shkelni Arefatin, në
ditën më të vështirë për të mallkuarin, por në më të
bukurën ditë të jetës suaj... Aty, në mes të lutjeve,
mos harroni njerëzit tuaj, të dashurit, miqtë,
dashamirët, komshitë, familjarët, të gjithë pa
përjashtim... Përfshijini edhe ata në lutjet tuaja,
sepse është dita e lutjes, dita e përgjigjes, dita e
faljes, dita e pastrimit, dita e madhnueshme e
Arefatit, ku falen gjynahet dhe nis një jetë e re
për secilin prej jush, një jetë me faqe të bardhë,
me fletë të bardhë, me zemër të bardhë..!
Përfshijini të gjithë, se mbi kokat tuaja, melekët e
mëshirës do të thonë: “Amin, edhe për ty siç kërkove
për vëllanë tënd!”. Lutuni me zemër dhe përfitoni
nga çdo moment i asaj kohe të begatë, të asaj dite
të bekuar, që kushedi a do t’ju premtojë më jeta ta
dëshmoni sërish..!
Do të dilni edhe para vendit, ku i mallkuari
mundohej të devijonte nijetin e Ibrahimit (a.s) që
ishte nisur të flijonte të birin. Mos ngurroni,
gjuajeni dhe dëbojeni nga jeta juaj! Gjuajeni dhe
forconi besën tuaj me Teuhidin e Krijuesit! Gjuajeni
dhe premtoni All-llahut, se do ta gjuani, si në ato
momente, në çdo përpjekje të tij për t’ju devijuar
nga Teuhidi në shirk, nga besimi në femohim, nga
dashuria në smirë, nga pasuria në varfëri, nga
mikpritja në mospritje, nga bujaria në kopraci, nga...
nga... Gjuajeni dhe nxirreni nga jeta e juaj të
mallkuarin!
Vëllezër dhe
motra, haxhilerë të dashur!
Nga Mekka drejt Medines, mendoni për hixhretin e
pejgamberit tonë, në rrugën e shpëtimit të fesë dhe
dinjitetit njerëzor. Mendoni dhe konsiderojeni veten
tuaj bashkëudhëtarë me Resulull-llahin (a.s), të
cilin do ta takoni pas pak orësh në Medinen e
Ndriçuar me prezencën e tij...
E, kur të mbërrini në Medine... Ah, sikur të ishim
me ju, vetëm për pak çaste, atje në Medinen e
rrezatimeve hyjnore... Ah sikur të ishim, aty ku do
të jeni... Merrni frymë thellë, se do të ndjeni erën
e Resulull-llahit alejhis-selam dhe flladet e
dashurisë së tij për ju, pasha All-llahun!
Kur të shkelni në tokën e hixhretit, shtojeni
salavatin, sepse keni hyrë në territorin e
mikpritjes së Resulull-llahit! Faluni dy rekate dhe
shijoni ëmbëlsinë e të qenurit në xhaminë e të
dërguarit të All-llahut. Pastaj, me butësi e mall,
afrohuni nga dritarja më e begatë e kësaj bote...
Afrohuni te dritarja e dritës dhe e dashurisë... Aty,
pranë varrit të tij, jepini selam Resulull-llahit
alejhis-selam dhe thoni: “Es-selamu alejke ja
Resulall-llah”... Do ta ndjeni me zemër kthimin e
selamit nga pejgamberi (a.s)... Ah, të lumtë ju,
kujt do t’i jepni selam...
Jepini selam Resulull-llahit alejhis-selam edhe për
çdo musliman nga Shkodra, Shqipëria dhe thoni të
dërguarit mëshirë, se bijtë e tij në vendin e
shqiponjave, nuk e kanë thyer besën megjithëse bijtë
e Ebu Xhehlit janë shtuar si kurrë më parë... Thoni,
se ata vazhdojnë të qëndrojnë, si muslimanët e parë
në ditët e Mekkës... Thoni Habibit, se pasha All-llahun,
nuk e devijojmë fenë e tij dhe besën e dashurisë...
Thoni dhe jepini selam, pafundësisht selame dhe
salavate...
Pastaj jepini selam Ebu Bekrit, edhe Omerit, dy
shokëve dhe miqve më të dashur të Resulull-llahit
(a.s). Merrni nga sinqeriteti origjinal i Siddikut
dhe burrëria e palëkundër e Farukut... Jepuni selam
me shumë respekt e dashuri...
Vëllezër dhe motra haxhilerë,
Qofshi në mbrojtjen e All-llahut dhe ju qoftë i
pranuar nijeti juaj, vepra e juaj, sakrifica dhe
përkushtimi në ditët më të bukura të jetës suaj,
atje, në vendin e kibles sonë, në vendin e të
dashurit tonë, atje në vendin e zemzemit dhe dritës
së Teuhidit!
Qofshi në mbrojtjen e All-llahut dhe ju qoftë i
pranuar tavafi, sa’ji, lutjet e Arefatit, gjuajtja e
gurëve, tavafi i lamtumirës, vizita në Medine!
Haxh Mabrur!
Shkodër, më 13 tetor 2011