Pasditën e së hënës, më 26
shtator 2011 është mbledhur Këshilli i Myftinisë
Shkodër në mbledhjen e radhës.
Në qendër të kësaj mbledhje kanë qenë disa tematika
që lidhen me zhvillimet e fundit në Myftininë e
Shkodrës dhe objektivat e saj për tre-mujorin e
fundit të këtij viti.
Këshilltarët kanë dëgjuar me vëmendje analizën që
Myftiu ka bërë në lidhje me emërtimet e reja të
rrugëve dhe shesheve të Shkodrës. Ai ka falënderuar
përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe komisionin për
emërtimin e rrugëve dhe shesheve të qytetit të
Shkodrës. Në mënyrë të veçantë, ai ka shprehur
mirënjohjen e tij për respektin dhe nderimin që i
është bërë shumë prej personaliteteve islame të
Shkodrës, duke emërtuar edhe shumë rrugë të saj me
emrat e tyre. Myftiu ka theksuar se falë Zotit,
shumë prej hoxhallarëve të nderuar të Shkodrës janë
vendosur në një piedestal të merituar, duke u bërë
pjesë e memories së këtij qyteti. Këtu, ai ka
përmendur hoxhallarët e nderuar: Hysen ef. Vuthi,
Hasan ef. Podgorica, Hafiz Abaz Golemi, Hafiz Ali
Kraja, Hafiz Sali Hylja, Hafiz Sabri Bushati, Hafiz
Musa Dërguti, Imam Vehbi Ismaili, Hafiz Ali Ulqinaku,
Daut ef. Boriçi etj.
Njëkohësisht Myftiu ka propozuar krijimin e një
komisioni, që do të merret me shqyrtimin e
emërtimeve të disa prej rrugëve dhe shesheve të
Shkodrës, për të cilat janë shprehur mendime dhe
kontestime të ndryshme në këtë mbledhje.
Në këtë mbledhje është folur edhe në lidhje me
vakëfet dhe disa problematika që lidhen me
mbarëvajtjen e Myftinisë dhe imazhin e saj.
|
|
|