Paraditën e së shtunës, më 17
shtator 2011, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari
ka pritur në një takim të ngrohtë dhe miqësor një
përfaqësi të Asamblesë së Përgjithshme të
Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës, të cilët
ndodhen në Tiranë nga dita e djeshme, ku është
zhvilluar edhe konferenca me temë “Marrëdhëniet
ndërkulturore dhe ndërfetare, mundësi dhe sfidë për
një të ardhme të përbashkët. Një kontribut i
Shqipërisë për ndërtimin e Evropës”.
Në pritjen që Myftiu ka rezervuar për vizitorët nga
disa shtete të Evropës, si: Danimarka, Skocia,
Spanja, Austria, Polonia, Gjermania, Belgjika,
Lituania etj, është diskutuar rreth besimit dhe
rolit që ka feja në edukimin e shoqërisë.
Gjatë takimit të zhvilluar në xhaminë e Parrucës,
Myftiu ka përmendur se: “Rreth 14 shekuj më parë,
profeti Muhammed (a.s), priti në xhaminë e tij një
delegacion me besimtarë të krishterë. Kam kënaqësinë
t’ju uroj mirëseardhjen në Shkodër dhe në këtë xhami,
për të dëshmuar sëbashku dëshirën e mirë të dialogut
ndërfetar dhe ecurisë së tij edhe përtej kufijve të
vendeve ku në jetojmë”.
Në këtë takim, vizitorët i kanë drejtuar Myftiut
pyetje të shumta, në mesin e të cilave edhe në
lidhje me edukimin fetar në shkollat publike të
Shqipërisë. Këtu, Myftiu është shprehur se: “Në këtë
pikë, Shqipëria është shumë larg standarteve
evropiane. Edukimi fetar është një domosdoshmëri e
madhe në këtë vend me një traditë të shquar besimi.
Ndoshta, klasa politike e kësaj kohe është akoma
varfanjake për ta merituar nderin dhe fisnikërinë e
aprovimit të këtij ligji. Por ky fakt, nuk do të na
ndalojë ta kërkojmë këtë të drejtë legjitime për
komunitetet fetare dhe besimtarët e vendit tonë”.
Në këtë bashkëbisedim me vlera intelektuale dhe
besimore janë trajtuar edhe shumë tema të
rëndësishme që kanë të bëjnë me gjallërimin e
marrëdhënieve në mesin e komuniteteve fetare për
organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese për
shoqërinë, në lidhje me shumë kriza që kalon ajo.
Është diskutuar për të drejtat e njeriut, për
ndërgjegjësimin e besimtarëve në lidhje me besimin e
tyre, për të drejtën e arsimit fetar në shkollat
publike, për rrezikun e ateizmit dhe materializmit
në jetën e rinisë etj.
Për rreth dy orë, Myftiu dhe vizitorët e tij kanë
bashkëbiseduar duke vërtetuar nevojën e madhe të
takimeve që bashkojnë bijtë e feve hyjnore në
tryezat e dialogut dhe këmbimit të mendimeve në
shërbim të forcimit të frymës së harmonisë dhe të
besimit në shoqëritë njerëzore.
M.Hoxha
|
|
|
|