Ditën e xhuma, më 16 shtator
2011, Myftiu Imam Muhamed Sytari ka mbajtur hytben e
javës në xhaminë e Plumbit. Nëpërmjet saj, ai ka
folur rreth dëmeve dhe rrezikut të hasedit dhe
smirës në jetën e shoqërisë islame. Myftiu ka lexuar
disa hadithe profetike, në të cilat tërhiqet
vëmendja e muslimanëve për t’u larguar nga hasedi
dhe për ta ruajtur zemrën prej tij.
“Smirëzinjtë, me veprën e tyre, në të vërtetë
luftojnë me Zotin! E dini pse? Sepse njeriu që ka
hased një tjetër, dëshiron me zemër që të mirat që
Zoti i ka dhënë tjetrit, të zhduken prej tij. Pra,
me fjalë të tjera, smirëziu nuk e pranon kaderin,
nuk e pranon përcaktimin hyjnor të tjetrit. Është
njësoj si t’i thotë Zotit: “Pse ia ke dhënë filanit
këtë të mirë?!”. Prandaj, t’i ruajmë zemrat tona nga
smira, nga hasedi, nga thashethemnaja që nxit
përçarje dhe minosë vëllazërinë, nga urrejtja që nuk
sjell asgjë të hajrit!”- ka thënë Myftiu.
“Njeriu me zemër të pastër, është më i miri i
njerëzve. Këtë na e ka mësuar vetë pejgamberi (a.s)!
Prandaj të ruhemi sa më tepër që të mos biem në
kurthet e shejtanit duke u ndezur zjarri i urrejtjes
ndaj vëllazërisë islame në zemrat tona! Zot na ruaj!”-
ka vazhduar Myftiu.
Në hytben e tij, ai ka bërë thirrje që të ruhet
harmonia, vëllazëria islame dhe fryma e
bashkëpunimit në mesin e muslimanëve.
Al.Hoxha
|
|
|
|