Ditën e xhuma, më 9 shtator 2011,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, ka mbajtur
hytben e kësaj jave në xhaminë e lagjes Shirokë. Pas
xhamisë së Tophanës, javën e shkuar, Myftiu ka
zgjedhur xhaminë e Shirokës për të falur të xhumanë
e dytë pas përfundimit të muajit Ramazan.
Në fjalën e mbajtur para besimtarëve, Myftiu ka
folur për mbulimin e së keqes në jetë. Ai ka sqaruar
se argumentet e ndryshme në Kur’an dhe në hadithin
profetik në lidhje më këtë temë, na nxisin që të
jemi të ruajtur dhe të kujdesshëm që të mos lëndojmë
njeri me fjalët tona. “Hadithet që nxisin mbulimin e
së keqes në shoqëri, janë argumenti më i mirë për të
vërtetuar shenjtërinë e vëllazërisë islame.
Muslimani duhet ta ruajë muslimanin, jo ta përflasë
e ta shpërdorojë imazhin e tij në shoqëri. Ata që
përflasin njëri-tjetrin dhe nxisin urrejtjen në mes
të muslimanëve, janë më të devijuar se devijantët që
përmenden në Kur’an! Duhet të lutemi për ta dhe të
kërkojmë të shërojmë të keqen në shoqërinë tonë!”-
ka përmendur ndër të tjera Myftiu.
Pas përfundimit të namazit të xhumasë, Myftiu është
takuar me besimtarët dhe ka falënderuar përpjekjet
për ndërtimin e minares së re të kësaj xhamie. Ai ka
shprehur mirënjohjen për sponsorizuesin e saj, si
një vepër e dëshmuar e besimit dhe dashurisë për
All-llahun dhe të dërguarin e Tij.
V.Mehmeti
|
|